(VIDEO) Vetëm 34 % e qytetarëve të RMV-së të gatshëm të luftojnë për shtetin

Krahasuar me një dekadë më parë, sipas hulumtimit të “Gallup international” sot më pak njerëz në botë janë të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre. Duke iu drejtuar qytetarëve me pyetjen “Nëse ka luftë në të cilën do të përfshihej edhe shteti juaj, a do të luftonit për shtetin tuaj”, 34% e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut janë përgjigjur “po”, kurse me “jo” përgjigjen 51%, ndërsa 15% i mbetur qëndrojnë me përgjigjen “nuk e di”. Anketa është realizuar në 45 vende në botë, ndërsa janë intervistuar gjithsej 46.138 persona, nëpërmjet telefonit, online si dhe fizikisht, në periudhën prej tetorit deri në dhjetor 2023.
MARKETING
Gallup international
“Maqedonia e Veriut nuk është larg mesatares së vendeve europiane, në lidhje me këtë çështje. Përqindja e atyre që do të luftonin për vendin e tyre në shtetet e BE-së, është 32%, ndërsa e atyre që nuk do të luftonin është 47%, kurse 21% nuk kanë dhënë përgjigje. Në Shqipëri dhe Kosovë përqindja e atyre që janë të gatshëm të luftojnë është shumë më e lartë. 60% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se do të ishin të gatshëm që të luftonin, ndërsa Kosova vijon me 79%, ku vetëm 14% e të anketuarve janë përgjigjur me “jo”.
Theksojnë se rezultatet në Serbi janë ngjashëm si në RMV, ku 36% e të anketuarve janë përgjigjur se do të luftonin për vendin e tyre, ndërsa 50% janë përgjigjur me “jo”. Në Bosnjë e Hercegovinë 40 % janë përgjigjur “po”, ndërsa 42% “jo”.
Armenia zë vendin e parë në këtë anketë ku 96% përgjigjen me “po”, Arabia Saudite 94%, Azerbejxhani 88%, Pakistani 86% dhe Gjeorgjia 83%. Ndërsa, potencojnë se të parët që janë përgjigjur duke thënë “jo” është Italia 78%, Austria 62%, Gjermania 57%, Nigeria 54% dhe Spanja 53%. /SHENJA/