(VIDEO) Vendimi për onkologjinë, Mickoski në dilemë për pagat e gjykatësve

(VIDEO) Vendimi për onkologjinë, Mickoski në dilemë për pagat e gjykatësve

Unë kam një dilemë, nuk e di a i meritojnë këto paga aktuale gjykatësit dhe prokurorët me vendime të tilla si ky i ditës së djeshme për onkologen në rastin “Onkologjia”, kështu është përgjigjur kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur lidhur me vendimin për dënimin me kusht për onkologen Meri Peshevska, e cila e pranoi fajësinë në rastin e onkologjisë. Mickoski tha se ata kërkojnë rritje të pagave por me vendime të tilla dëshmojnë që nuk i meritojnë as ato që i marrin.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Qëndrimet e mia për Prokurorinë dhe Gjyqësorin janë thënë shumë herë, janë diskutuar shumë herë dhe sa herë që diskutohet pse vonohemi me procesin e miratimit të ligjeve që parashikojnë reforma në Gjyqësor dhe Prokurori, në thelb dua që opinioni të dijë se bëhet fjalë për gjashtë ligje, ku thelbi kryesor është rritja e buxhetit, ku drejtpërdrejt do të rezultonte me rritjen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët kanë një rejting prej vetëm 2%, ndërkohë që kërkohet rritje të pagave, konkretisht, buxheti për gjyqtarët do të ishte 0,8% e PBB-së, ndërsa për prokurorët 0,5% e PBB-së, dhe unë gjithmonë ndiej një lloj neverie, sepse as pagat që marrin tani nuk i meritojnë, duke pasur parasysh vendime gjyqësore të tilla për të cilat ju po flisni tani.”

Reagim lidhur me këtë ka pasur nga opozitarja LSDM. Ata thonë se në vend të reformave dhe zgjidhjeve konkrete, Mickoski demonstron edhe një herë se interesi i tij i vetëm është kontrolli politik dhe pikët e politikës ditore. Ata thonë se ai për sa kohë qeverisje nuk ka sjellur asnjë reformë në gjyqësor.

LSDM

Sot ai flet për “neveri” për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve dhe e vërteta është se qytetarët janë të lodhur nga paaftësia dhe hipokrizia e tij. Mickoski madje refuzoi të miratonte ligjet e nevojshme të reformës së bashku me LSDM-në, duke treguar kështu qartë se nuk ka ndërmend të zbatojë reforma në gjyqësor. Ai dëshiron një gjyqësor të bllokuar në sistemin e tij partiak, jo një të pavarur dhe të drejtë”.

Nga LSDM thonë se Mickoski ka kaluar një vit në pazarllëqe politike dhe kombinime personeli, ndërsa e ka mbajtur peng gjyqësorin për VMRO-DPMNE-në.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING