(VIDEO) Vazhdohet paraburgimi i 4 të dyshuarve për zjarrin në Trubarevë

Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe ekipe hetimore nga Ministria e Punëve të Brendshme sot kanë kryer kontroll në vendin e ngjarjes pas zjarrit që ndodhi në Trubarevë. Hetimet janë ndërmarrë si për shkaktimin e zjarrit, ashtu edhe për mënyrën e deponimit të mbeturinave në atë lokacion. Është bërë fotografimi dhe incizimi me dron i lokacionit.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Për shkak të grumbullimit dhe rrezikshmërisë në vendin e ngjarjes, hetimet në terren janë të vështira. Me urdhër të prokurorit publik, lokacioni do të qëndrojë i siguruar edhe në periudhën në vijim për nevojat e procedurës. Në vendin e ngjarjes do të vazhdojnë matjet shtesë të ndotjes nga Ministria e Mjedisit Jetësor, dhe do të përfshihet edhe një ekspert nga fusha e ekologjisë”.
Nga prokuroria sqarojnë se në vendin e ngjarjes ende është i pranishme edhe një ekip zjarrfikës, pasi në disa pjesë të lokacionit ende ka tymosje të herë pas hershme dhe ekziston rreziku i riaktivizimit të zjarrit.
Ndërkaq, Gjykata ua ka zgjatur paraburgimin për 48 orë të reja katër të dyshuarve për zjarrin në Trubarevë. Bëhet fjalë për një menaxher 56-vjeçar dhe pronar i dy personave juridikë, një menaxhere 22-vjeçare, një udhëheqës filiali 42-vjeçar dhe një i punësuar 59-vjeçar.
Ndërkohë, Kryeministri, Hirstijan Mickoski theksoi se zjarret në Trubarevë dhe Vardarishtë janë plotësisht nën kontroll.
HRISTIJAN MICKSOKI, KRYEMINSITËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“I mora rezultatet nga Instituti i Shëndetit Publik, të gjithë parametrat janë brenda kufijve të lejuar. Në Drislla, gjithashtu, është drejt përfundimit. Sot përfundon mbulimi me dhe të një pjese të vogël që ende nxirrte tym, edhe pse mbi 90% e punës kishte përfunduar që të hënën. Situata është nën kontroll”.
Miskoski gjithashtu komentoi edhe akuzat e opozitës ndaj tij në lidhje me zjarret. Ai tha se opozita bënë shpifje sepse sipas tij, në këtë mënyrë ata mundohen të fitojnë pikë politike dhe mbështetje nga qytetarët.
Kujtojmë se zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por për shkak të tymit pati 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë.
Samir Mustafa /SHENJA/