(VIDEO) Vapë e tmerrshme në Maqedoni, temperatura arriti 41 gradë

Meteorologët kanë njoftuar se moti gjatë ditës së sotme do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira lokale deri në mesatare, do të fryjë erë e dobët deri në mesatare kryesisht nga juglindja. Temperatura maksimale sipas meteorologëve do të jetë në intervalin 33 deri në 41 gradë celsius.
DREJTORIA PËR PUNË HIDROMETEOROLOGJIKE
“Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me erë të dobët jugore. Temperatura maksimale do të arrijë 41 gradë”.
Në ndërkohë rekomandimet për mbrojtjen e popullsisë nga moti i nxehtë janë në fuqi.
REKOMANDIMET
“Lirim nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Ky rekomandim nuk vlen për të punësuarit në: shëndetësi, polici, ushtri, transport, energjetikë, ndërmarrje publike komunale.
Shtyrje e procesit të punës gjatë orëve kritike (nga ora 11 deri në 17) për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj nxehtësisë direkte”.
Po ashtu janë aktivizuar planet për kushte të jashtëzakonshme, ku të gjitha institucionet shëndetësore, shtëpitë për të moshuar dhe institucionet arsimore duhet të veprojnë në përputhje me protokollet e brendshme për gjendje krize.
Sipas meteorologëve nga e mërkura pritet një freskim i motit.
Anida Murati /SHENJA/