(VIDEO) Universiteti i Tetovës dhe i Tiranës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një vizitë zyrtare në Universitetin e Tetovës, ku është takuar Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, me Rektorin e Universitetit të Tetovës Jusuf Zeneli. Në fjalën e tij të rastit Zeneli, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Republika e Shqipërisë i ka dhënë Universitetit të Tetovës që nga vitet e para të themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të tij. Ai theksoi se ndihma institucionale e shtetit shqiptar ka qenë vendimtare në konsolidimin e universitetit dhe se kjo përkrahje po vazhdon edhe sot. Sipas tij, falë kësaj mbështetjeje, universiteti do të arrijë të përballojë çdo sfidë dhe të shënojë suksese të reja në të ardhmen.
Jusuf Zeneli, Rektori i Universitetit të Tetovës
“Sot ishte kënaqësi e veçantë të dashur profesor që në mbështetjen e presidentit së bashku me rektorin e universitetit të tiranës profesor doktor Artan Hoxha kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të dy universiteteve, qoftë me fat, me këmbë të mbarë dhe njëkohësisht të çmojmë lart edhe përkujdesjet dhe angazhimin e ambasadorit zotëri Mejdani për të gjithë mbështetjen në sferën diplomatike që i hap rugët për Universitetin e Tetovës”.
Ndërkaq Hoxha ka komentuar projektligjit për arsimin e lartë që po diskutohet në Maqedoninë e Veriut, duke bërë një krahasim me ligjet në Shqipëri. Ai tha se edhe ata po bëjnë ndryshime por me një sens për të ritur autonominë dhe lirinë akademike.
Artan Hoxha, Rektori i Universitetit të Tiranës
“Këtu ndoshta nuk është fuqimisht ky vullnet por ajo që duhet është që bota jonë është një botë e lirë, është një botë autonome bazohet mbi kërkimin, bazohet mbi mendimin dhe konkluzionet e lira, ne sjemi pjesë të qeverisjes , në kuptimin e mirëfillt të fjalës por jemi pjesë e rëndësishme e shoqërisë me edukim dhe zhvillim por po të na mungojë kjo autonomi dhe liri, neve na mungon zemra e funksionimit si institucione arsimore, \ ky universitet siç ka treguar deri më tani autoritetin dhe rëndësinë për shoqërinë e maqedonisë së veriut dhe në veçanti të komunitetit shqipëtar do tregojë edhe zgjuarsinë dhe inteligjencën për të përballur situatat aktuale”.
Ndërkohë ai theksoi rëndësinë e veçantë të gjuhës shqipe në arsimin e lartë, duke nënvizuar rolin e Universitetit të Tetovës në ruajtjen, zhvillimin dhe avancimin e saj, si dhe në formimin e brezave të rinj në frymë akademike dhe kombëtare.
Anida Murati /SHENJA/

