(VIDEO) U miratua strategjia kombëtare për zhvillimin e TIK-së
Maqedonia e Veriut pas 8 vitesh e ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), e njohur si SMART/MK2030, e cila shërben si një udhërrëfyes për mënyrën se si shteti do ta ndërtojë të ardhmen e vet digjitale. Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski theksoi se ky dokument përfaqëson një udhërrëfyes për mënyrën se si shteti ynë do ta realizojë të ardhmen digjitale.
Ministri tha se strategjia shoqërohet me një Plan Veprimi që e shndërron vizionin në hapa konkretë. Fokusi është tek zbatimi i shpejtë, treguesit e qartë dhe vlerësimi i vazhdueshëm.
STEFAN ANDONOVSKI-MINISTËR PËR TRANSFORMIM DIGJITAL
‘’Shteti modern digjital fillon me një infrastrukturë të qëndrueshme. Qëllimi ynë është që çdo familje dhe çdo institucion të ketë qasje në rrjet gigabit dhe lidhje 5G me çmime të përballueshme. Kjo do ta mbyllë hendekun digjital mes zonave urbane dhe rurale, dhe do të krijojë kushte për qasje të barabartë në shërbime digjitale dhe në dije. Në partneritet me sektorin privat do të nxiten investime në rrjete optike, qendra të të dhënave dhe platforma cloud (në re), të cilat do të jenë bazë për më shumë ndërveprueshmëri, siguri dhe besim digjital’’.
Ai shtoi se kjo strategji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që zgjati më shumë se një vit. Ministri gjithashtu u pyet se nëse me këtë strategji pritet të ulen çmimet e internetit në vend, ai u përgjigj se pret përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe se do të ketë diskutime me kompanitë për të siguruar internet me çmime të përballueshme. /SHENJA/

