(VIDEO) U incizua duke konsumuar lëndë narkokiotike, ish-drejtori i neurologjisë mund të marrë sërish licencën për mjek

(VIDEO) U incizua duke konsumuar lëndë narkokiotike, ish-drejtori i neurologjisë mund të marrë sërish licencën për mjek

Doktori Igor Kuzmanovski ish-drejtori i Klinikës së Neurologjisë, i cili u shkarkua nga detyra pas shpërndarjes së një video të tij duke përzier një substancë narkotike, do të marrë licencë pune nëse përfundon tre muaj trajnim të specializuar nën drejtimin e drejtpërdrejtë të një mentori, kështu kanë vendosur anëtarët e Komisionit për Çështje Etike dhe Ligjore në Odën e Mjekëve, njoftojnë nga oda e mjekëve të RMV-së.

ODA E MJEKËVE TË RMV-SË

“Pas përfundimit të trajnimit, mjeku do t’i nënshtrohet një provimi për një shqyrtim të detajuar të njohurive dhe aftësive profesionale. Duke marrë parasysh se Ligji për Kujdesin Shëndetësor përcakton saktësisht kushtet për dhënien, vazhdimin dhe marrjen e licencave të punës dhe aktualisht nuk ka ndonjë vendim gjyqësor ose akt tjetër ligjor që do të kushtëzonte refuzimin e kërkesës për vazhdimin e licencës, Oda e Mjekëve shfrytëzon mundësinë ligjore për të imponuar një mekanizëm të përforcuar kontrolli dhe edukimi.”

Ata thane se paralelisht me këtë, është duke u zhvilluar edhe një procedurë gjithëpërfshirëse në lidhje me sjelljen e tij etike si mjek.

ODA E MJEKËVE TË RMV-SË

“Oda e mjekëve e dënoi publikisht sjelljen e mjekut, duke e bërë të qartë se me sjelljen e tij ai shkel parimet etike dhe cënon integritetin dhe reputacionin e profesionit mjekësor. Për të marrë një vendim përfundimtar, të qëndrueshëm dhe të drejtë, oda pret raportet e komisioneve të formuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Klinika Universitare e Neurologjisë, të cilat duhet të japin një pamje më të gjerë të karakterit profesional dhe aftësisë profesionale të mjekut në tërësi”.

Ish drejtori i klinikës së neurologjisë Igor Kuzmanovski më 11 tetor u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij u emërua doktor Jovan Bozhinovski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING