(VIDEO) U godit në kokë natën e vitit të ri, humbi jetën fëmija dyvjeçar nga Shkupi

(VIDEO) U godit në kokë natën e vitit të ri, humbi jetën fëmija dyvjeçar nga Shkupi

Ka ndërruar jetë fëmija dy vjeçar që ishte i shtrirë në spitalin e shtetit, pasi natën e ndërrimit të vitit u lëndua rëndë në kokë. Sipas informacioneve fillestare fëmija ishte goditur nga një plumb qorr teksa po shikonte fishekzjarrët dhe në momentin e incidentit, ndodhej jashtë së bashku me të ëmën. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se me urdhër të prokurorit publik, trupi i fëmijës është dërguar për obduksion dhe po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

MPB

Zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë zhvilluar bisedë zyrtare me nënën G.D. (21), e cila ka sqaruar se më 31.12.2025, pak para mesnatës, kishte dalë para oborrit të shtëpisë në zonën e Gazi Babës me fëmijën dhe teksa po shikonin fishekzjarrët, kishte dëgjuar një zhurmë, pas së cilës kishte vërejtur gjak nga koka e fëmijës. Në stacionin policor është zhvilluar bisedë zyrtare edhe me babanë e fëmijës, M.A. (26). Në orën 01:58 të datës 02.01.2026, fëmija ka ndërruar jetë, ndërsa mjeku ka konstatuar vdekjen.

Me njoftim zyrtar për këtë rast ka dalë edhe Ministria e Shëndetësisë. Nga atje njoftojnë se mjekët kanë bërë përpjekje maksimale për të shpëtuar jetën e fëmijës, por fatkeqësisht, fundi ishte tragjik.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, përfundimi ishte tragjik. Shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta për familjen dhe të afërmit në këto momente jashtëzakonisht të vështira. Bëjmë apel të gjithë qytetarëve që festat të shënohen në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, pa përdorimin e mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, e veçanërisht pa përdorimin e armëve të zjarrit. Pasojat e një sjelljeje të tillë të papërgjegjshme janë serioze dhe, për fat të keq, mund të jenë edhe fatale.

Rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti janë ende objekt i hetimit. Kujtojmë, fëmija fillimisht u trajtua në Spitalin e Qytetit, ndërsa për shkak të seriozitetit të lëndimeve u transferua në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, ku mjekët konstatuan gjakderdhje në tru, me përfshirje të të gjitha ventrikujve të trurit.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING