(VIDEO) Turqia shënon 15 korrikun, ditën e demokracisë

Turqia sot shënon 15 Korrikun, Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, që shënon edhe përvjetorin e nëntë kur organizata terroriste FETO kreu një tentativë të dështuar grusht shteti, raporton Anadolu. Aktivitetet e këtij viti në kuadër të 15 Korrikut në Turqi dhe në mbarë botën organizohen nën sloganin “Emri i Fitores është Turqia”. Aktivitete do të organizohen edhe në vendet e rajonit. Gjithashtu ambasadat dhe konsullatat turke në mbarë botën organizojnë aktivitete përkujtimore, duke theksuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjes së mposhtur të grushtit të shtetit.
Balona me ajër të nxehtë me flamuj dhe banderola me simbole kombëtare turke fluturuan në Kapadokya, qendrën turistike në Nevşehir të Turqisë, për të shënuar këtë ditë.
Flamuj dhe banderola ishin varur në balona me ajër të nxehtë të përgatitura nga zyrtarët në zonat e ngritjes në qytetin Göreme. Balonat me turistë u ngritën në qiell dhe fluturuan mbi lugina të mbuluara me oxhaqe zanash dhe formacione shkëmbore natyrore.Balonat fluturonin me flamuj turq dhe një foto të oficerit të martirizuar Ömer Halisdemir, së bashku me një banderolë që shkruante “Nuk e kemi harruar, nuk do ta lëmë të harrohet”. Dega Rinore e AK Partisë në Nevşehir gjithashtu vendosi postera në disa balona që shkruanin “Epopeja u shkrua me të rinj”.
Tentativa e dështuar për grusht shteti u krye nga organizata terroriste FETO më 15 korrik 2016, e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për vite me radhë, ekstradimin e të cilit Ankaraja e kishte kërkuar zyrtarisht më parë nga SHBA-ja.
Gülen vdiq në kampusin Monroe të Spitalit St. Luke më 20 tetor 2024. Vdekja e udhëheqësit terrorist u zyrtarizua me një dokument që Departamenti amerikan i Shtetit i dërgoi autoriteteve turke. Anëtarët e kësaj organizate terroriste kanë punuar për vite me radhë duke manipuluar provimet, duke u infiltruar kështu në institucionet shtetërore. Më pas, duke filluar nga dhjetori i vitit 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndiqnin penalisht shumë zyrtarë të lartë në një gjyq të montuar për korrupsion të dyshuar. Disa vjet më vonë, pati një përpjekje të përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, përkatësisht nga oficerë që ishin infiltruar në ushtrinë turke nga FETO. Hetimi ndaj organizatës terroriste FETO ka treguar se ajo është një rrjet global që përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilin është aktive. Kjo është theksuar vazhdimisht nga zyrtarët turq. /SHENJA/