(VIDEO) Trump nënshkruan dokumentin, SHBA garanton sovranitetin dhe kufijtë e Kosovës
Presidenti amerikan Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, ku përfshihet edhe Kosova. Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor ku riafirmohet angazhimi i SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.
Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.
Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi. /SHENJA/

