(VIDEO) Trump ndalon bombardimet, Teherani hap ngushticën e Hormuzit
MARKETING
SHBA-të dhe Irani arritën një marrëveshje për një armëpushim dyjavor të martën në mbrëmje, që përfshin rihapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit. Kjo erdhi pas një ndërhyrjeje diplomatike në momentin e fundit nga Pakistani, duke shmangur ultimatumin e Donald Trump, i cili kishte kërcënuar Iranin me dorëzim ose përballje me sulme shkatërruese. Njoftimi u bë më pak se dy orë para afatit për bombardime ndaj infrastrukturës iraniane, një veprim që ishte kritikuar nga ekspertë ligjorë si i mundshëm për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Pak më herët, Trump kishte paralajmëruar në rrjetet sociale për pasoja të rënda, ndërsa bombarduesit B-52 thuhej se ishin në rrugë drejt Iranit.
MARKETING
Sipas Trump, marrëveshja u ndërmjetësua nga Pakistani, me kryeministrin Shehbaz Sharif që kërkoi armëpushimin për t’i dhënë hapësirë diplomacisë. Ai shtoi se SHBA-të do të ndalonin sulmet nëse Irani garanton hapjen e plotë dhe të sigurt të ngushticës.
DONALD TRUMP, PRESIDENT I SHBA-SË
“Në varësi të pranimit të Republikës Islamike të Iranit për HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURTË të Ngushticës së Hormuzit, unë pajtohem të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh”.
Në një postim më vonë, presidenti amerikan e quajti të martën “një ditë të madhe për paqen botërore”. Ai tha se SHBA-të do të “ndihmonin me rregullimin e trafikut” në ngushticën e Hormuzit dhe se “do të fitohen para të mëdha” ndërsa Irani fillon rindërtimin.
Irani e konfirmoi marrëveshjen, duke theksuar se kalimi në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i sigurt gjatë kësaj periudhe.
ABBAS ARAGHCHI, MINISTËR I JASHTËM I IRANIT
“Për një periudhë dy-javore, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit”.
Pakistani ka ftuar SHBA-në dhe Iranin në bisedime në Islamabad të premten. Teherani tha se do të merrte pjesë, por Uashingtoni ende nuk e ka pranuar publikisht ftesën.
Trump tha se ai besonte se SHBA-ja dhe me Irani n mund të negocionin mbi propozimin 10-pikësh që do të lejonte që një armëpushim të “finalizohej dhe të konsumohej nga palët”.
Ndërkohë, tregjet reaguan pozitivisht: çmimet e naftës ranë dhe bursat u rritën, për shkak të shpresave për rifillimin e furnizimeve energjetike. /SHENJA/

