(VIDEO) Trump i inkurajoi forcat kurde në Irak të nisin sulme ndaj Iranit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i inkurajoi forcat kurde iraniane në Irak të nisin sulme kundër Iranit, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme zgjerohet, me Azerbajxhanin që paralajmëroi se do të hakmerrej nëse do të vihej në shënjestër nga raketat iraniane. Trump, duke folur për mundësinë e hyrjes së forcave kurde iraniane në Iran nga Iraku fqinj, tha për Reuters të enjten: “Mendoj se është e mrekullueshme që ata duan ta bëjnë këtë, unë do të isha plotësisht dakord”.
Trump, duke folur me Reuters në një intervistë telefonike, tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një rol në vendimin se kush do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i Iranit, pasi sulmet ajrore vranë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei javën e kaluar.“Do të na duhet ta zgjedhim atë person së bashku me Iranin”, tha ai.
Ndërkohë, Izraeli ka kryer “valë të sulmeve në shkallë të gjerë” gjatë natës në Teheran, ashtu si edhe Bejrut me cak zonat e Hezbollahut. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë shënjestruar qendrat e komandës dhe ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytetin libanez, si dhe një objekt ku ruheshin dronë.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se janë duke u zhvilluar “përpjekje ndërmjetësimi” lidhur me luftën në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se disa vende kanë nisur ndërmjetësimin, pa i përmendur ato me emra.
“Ta bëjmë të qartë: ne jemi të përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon, por nuk hezitojmë të mbrojmë dinjitetin dhe sovranitetin e vendit tonë”, shkroi presidenti në rrjetin X.
Ndërkaq, kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë vendin e tij mes luftës së vazhdueshme mes Izraelit dhe Hezbollahut. Ai paralajmëroi se Libani mund të përballet me një katastrofë humanitare për shkak të numrit të madh të njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar ofensivë në shkallë të gjerë ndaj Iranit që nga e shtuna ndërsa Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin si dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.
Teuta Buçi /SHENJA/

