(VIDEO) “Trëndafili i Çamërisë” në Shkup, karvan me vetura u zbukurua me simbole çame dhe kombëtare

Me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe simbolet e identitetit çam të vendosura mbi karavane dhe vetura, rrugët e qytetit sot morën një pamje ndryshe. Nga Shoqata Kulturore “Vizioni M” të cilët organizuan këtë event, thanë se, zbukurimi i veturave dhe karavaneve nuk ishte thjesht një formë dekori, por një mënyrë për të rikujtuar të kaluarën e dhimbshme të popullit çam, për të afirmuar identitetin, dhe për të kërkuar drejtësi në mënyrë paqësore e dinjitoze. Abdulla Berisha nga kjo organizatë theksoi se, ishte një emocion ndryshe dhe i dyfishtë, ku nga njëra anë mbizotëron ndjenja e gëzimit kur sheh të rinjtë që i bashkangjiten këtyre aktiviteteve dhe nga ana tjetër ndjen dhimbje kur kujton thelbin e tyre.
MARKETING
Abdulla Berisha, anëtar i shoqatës kulturore Vizioni M
“Atëher ky aktivitet i sotëm ishte një nga aktivitetet më guerile le të themi të aktiviteteve të javës Çame të titulluara sivjet nën moton “Trëndafili i Çamërisë”. Siç mund të shihni veturat ishin të zbukuruara me flamuj kombëtar shqiptar dhe me flamuj me simbole të motos, pra, trëndafili i Çamërisë. Kaluam diku 4\5 km rrugë, ngadalë, të përcjellur me muzikë Çame, duke ngjallë interes të madh nga banorët shqipëtar këtu dhe shpresoj që ia klemi arritur qëllimit. \Është me të vërtetë, janë emocione të përziera, është gëzim kur i sheh që të rinjtë i bashkëngjiten aktiviteteve por është njëkohësisht ajo mërzia për çka është thelbi i aktiviteteve, gjenocidi dhe trauma që kanë përjetuar Çamët”.
Ndërkaq, organizatorët e konsiderojnë këtë aktivitet si një formë të fuqishme ndërgjegjësimi qytetar, ku arti, simbolet dhe rrugët bashkohen në një mesazh të përbashkët që kujtesa nuk duhet të shuhet.
Kujtojmë se, aktivitetet për çështjen çame filluan më 21 qershor dhe do të zgjasë deri më 27 qershor, ndërsa përmes tyre synohet të ngritet vetëdija për të kujtuar gjenocidin çam që ndodhi 81 vite më parë, me qëllim që historia të mos harrohet dhe e vërteta të vazhdojë të dëgjohet.
Anida Murati /SHENJA/