(VIDEO) Tragjedia në Zvicër, një shtetas i RMV-së në mesin e personave të zhdukur
Zvicra shpalli pesë ditë zie për viktimat e zjarrit që shpërtheu në një bar në qendrën e skijimit Crans-Montana gjatë natës së Vitit të Ri. Presidenti zviceran Guy Parmelin, duke njoftuar shpalljen e pesë ditëve zie, e përshkroi këtë aksident tragjik si “një dramë me përmasa të papara”. Policia e kantonit Valais deri tani ka raportuar rreth 40 të vdekur dhe rreth 115 të plagosur, shumica prej tyre rëndë. Autoritetet zvicerane njoftuan se identifikimi i viktimave mund të zgjasë disa ditë, derisa dhjetëra familje vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e zhdukur dhe shumë prej të lënduarve mbeten në gjendje kritik. Në mesin e personave të zhdukur është edhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, konfirmoi se ka një shtetas të Maqedonisë së Veriut që ende është i zhdukur dhe ndodhej në ndërtesën e zjarrit tragjik në barin në qendrën zvicerane të skive Crans-Montana, por se nuk ka ende informacione për të.
Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë
“Njoftimin e fundit që mora nga institucionet kompetente është se ka një person me shtetësi nga RMV. Jemi në kontakt me autoritetet dhe policinë kantonale dhe do ta informojmë opinionin sapo të marrim më shumë detaje. Presim më shumë të dhëna. Bëhet fjalë për një person”.
I riu i zhdukur, Stiven Ivanovski, familja e të cilit njoftoi dje se ai ishte në një festë në Crans-Montana në barin ku shpërtheu zjarri, ende nuk është gjetur.
Mediat zvicerane raportuan se shumica e të pranishmëve kanë qenë të moshës 15 deri në 20 vjeç. Ndër viktimat ka persona të kombësive të ndryshme, të cilët, sipas zyrtarëve, do të kërkojnë javë të tëra për t’u identifikuar. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, numri i viktimave vlerësohet në 47.
Të lënduarit janë shtruar në spitale në Zvicër, ndërsa disa prej tyre janë transferuar në institucione shëndetësore në Milano, Paris, Lion dhe Shtutgart. Ndërkaq, edhe Maqedonia e Veriut i ka ofruar ndihmë Zvicres. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucinski, njoftoi dje pasdite se pati bisedë telefonike me ambasadorin zviceran në vend, Christoph Sommer, pas aksidentit tragjik. Në bisedën me të, Mucunski i tha ambasadorit se vendi është në dispozicion të Zvicrës në përballimin e kësaj tragjedie.
Teuta Buçi /SHENJA/

