(VIDEO) Tragjedia në Koçan, familjarët po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi

(VIDEO) Tragjedia në Koçan, familjarët po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi

Pasditen e djeshme në qendër të Koçanit është mbajtur marshi i familjarëve të cilët humbën më të dashurit e tyre në tragjedinë e ndodhur në diskotekën “Pulse”, në Koçan. Ata me dhimbje akoma të freskët kërkuan drejtësi për viktimat e natës së tmershme.

ROZETA XHAMOVA, FAMILJARE E VIKTIMAVE

“Sot janë rumbullaksuar 5 muaj nga dita më e vështirë e jetës tonë, 5 muaj të zbrazëta në zemër, muaj ku secila frymëmarje është më e vështirë se tjetra, 5 muaj pa buzëqeshjet dhe dashurinë e më të dashurve tonë të humbur. Në këto muaj dhimbja aspak nuk është qetësuar”.

Prindërit akuzuan policinë se po përpiqej të sabotonte protestën e tyre, duke ndaluar qytetarë që kishin ardhur nga qytete të tjera për të marrë pjesë në protestë me makina, duke i ndaluar ata pa nevojë për rreth 20 minuta në hyrje të Koçanit dhe duke vënë në dyshim identitetin e tyre.

PRIND

“Duhet të ketë drejtësi për ata engjëj. Policia ka ndaluar njerëz që janë organizuar të vijnë nga qytetet e tjera, ata I kanë ndaluar për 20 minuta duke kërkuar dokumentet e tyre personale. Në mes këtyre njerëzve nuk ka kriminelë, ka vetëm njerëz me zemër”.

Ndërkaq nga ana tjetër sot nga MPB nëpërmjet një komunikate kanë demantuar deklaratat dhe thanë se asnjë qytetari nuk i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në protestën e djeshme në Koçan.

MPB

“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton dezinformatat e publikuara në disa portale dhe rrjete sociale, sipas të cilave policia dje (16.08.2025) gjoja nuk ka lejuar hyrjen e qytetarëve në Koçan, të cilët kanë dashur të marrin pjesë në protestën “Marshi i engjëjve”. Përkundrazi, asnjë qytetar nuk është penguar të hyjë në Koçan”.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit I cili morri jetë e 62 viktimave dhe ngelen të lënduar rreth 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING