(VIDEO) Trafikimi i fëmijëve dukuri e shpeshtë në RMV, tetë të mitur janë trafikuar vitin e kaluar

(VIDEO) Trafikimi i fëmijëve dukuri e shpeshtë në RMV, tetë të mitur janë trafikuar vitin e kaluar

Gjatë vitit 2023 në vend janë zbuluar tetë raste të “trafikimit të fëmijëve”, tregojnë të dhënat në raportin e ministrisë së punëve të brendshme. Në raport thuhet se janë ngritur pesë kallëzime penale për tetë krime të trafikimit të fëmijëve dhe në njërën nga akuzat për 2 nga kryrësit e veprave janë ngritur kallëzime penale edhe për veprat “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve” dhe abuzim seksual të të miturit”.

 RAPORTI VJETOR I MPB-SË

“Në lidhje me trafikimin e fëmijëve, në vitin 2023 janë zbuluar tetë raste, njejtë si në vitin 2022, për të cilat pas dokumentimit të plotë janë ngritur pesë kallëzime penale për tetë krime të trafikimit të fëmijëve dhe në njërën nga akuzat për dy persona janë ngritur kallëzime penale edhe për veprat penale, “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve” dhe abuzim seksual me të miturin”.

Më tej në raport thuhet se në kallëzimet penale janë paraqitur gjithsej 35 persona, 30 prej tyre meshkuj dhe pesë prej tyre femra, ndërsa dy të akuzuar tjerë janë shtetas të Republikës së Serbisë.  “Viktimat e identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore/fëmijë janë gjithsej katër fëmijë, femra dhe të gjitha ato i janë nënshtruar shfrytëzimit seksual si dhe njëra prej tyre është detyruar të bëjë martesë të pa dëshiruar”, thuhet në raport.

Nga MPB thonë se, komisioni nacional për luftën kundër trafikimit të njerëzve dhe migrimin illegal, janë të kyçur në fushatën “ Zemër blu” për përkrahjen e fushatës globale e cila ka për synim luftën kundër trafikimit të njerëzve, projekt I kombeve të bashkuara.

18 tetori njihet si dita europiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe të dhënat botërore tregojnë se rreth 27 milion njerëz në botë trafikohen në vit dhe 23% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë vajza dhe adoleshentë. Në Bashkimin Evropian, forma më e zakonshme e trafikimit të raportuar është ajo e shfrytëzimit seksual, një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat që përfaqësojnë 95% të viktimave të regjistruara. Sipas raportit të fundit botëror për trafikimin e qenieve njerëzore, shumë vende kanë raportuar një rritje të viktimave të trafikimit në vitet e fundit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

MARKETING