(VIDEO) Toshkovski: Prokuroria hesht për kallëzimet ndaj ish-ministrave

(VIDEO) Toshkovski: Prokuroria hesht për kallëzimet ndaj ish-ministrave

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se Ministria ka dorëzuar një numër të madh kallëzimesh penale ndaj disa ish-ministrave, drejtues të institucioneve, dhe madje edhe një ish-kryeministri, por sipas tij, Prokuroria Publike nuk po vepron njësoj ndaj të gjithëve.

Toshkovski në një intervistë për MIA-në, theksoi se ka raste të mbështetura me prova të forta për të cilat ende nuk ka lëvizje nga organet e drejtësisë.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

Mbetet koha të tregojë nëse në këtë periudhë të ardhshme edhe Prokuroria Publike edhe gjykatat do të kenë guximin të veprojnë në kuadër të autorizimeve të dhëna me ligj, me qëllim që të mund të shohim drejtësi procesuale, e cila është e nevojshme të ofrohet nga institucionet, por edhe drejtësi thelbësore, e cila duhet t’i identifikojë të gjithë ata që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme gjatë periudhës së kaluar dhe të mundësojë kthimin e atyre mjeteve që janë shpenzuar në mënyrë të paligjshme nga individë të caktuar, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për ministra, drejtorë apo ndonjë lloj tjetër funksionari në periudhën e kaluar”.

Duke folur për tragjedinë në Koçan, Toshkovski theksoi se në pjesën që është kompetencë e MPB-së, është vepruar maksimalisht në mënyrë të koordinuar sipas të gjitha urdhrave të Prokurorisë Publike.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

Tani mbetet që gjykata, bazuar në të gjitha provat e mbledhura dhe të dorëzuara deri tek ajo, të ndërmarrë të gjitha ato veprime procesuale që duhet të ndërmerren nga ana e saj”

Ai shtoi se problemet në sistem janë të thella dhe nuk zgjidhen për gjashtë muaj, por theksoi se janë ndërmarrë hapa konkretë për reforma dhe ndëshkim të përgjegjësve. I pari i policisë gjithastu ngriti shqetësime edhe për raste si ai i shpërdorimeve në dhënien e armëve, për të cilin tha se MPB ka dorëzuar kallëzim penal kundër disa policëve , por deri më tani nuk ka përgjigje nga Prokuroria. Mes tjerash, ministri kërkoi hetim urgjent për rastet e përgjimit dhe ndjekjes ilegale, duke pyetur publikisht se “Kush e ka dhënë urdhrin dhe kush e ka kryer përgjimin?”.

Samir Mustafa /SHENJA/ 

MARKETING