(VIDEO) Thellohen ndarjet në BDI, “Grupi i Zjarrit” dhe Ahmeti mbajnë takime të ndara
Hendeku mes Grupit të Zjarrit të BDI-së dhe partisë sa vjen e thellohet. Të dyja palët kanë informuar për takime me qytetarët në të njëjtën ditë, por në qytete të ndryshme.
Zevendëskryeministri Artan Grubi përmes një njoftimi në facebook ka bërë të ditur nisjen e takimeve nëpër degët e partisë, në përputhje me vendimin e Këshillit të përgjithshëm, më 14 janar.
Artan Grubi
“Në përputhje me vendimin e Këshillit të përgjithshëm, më 14 janar, kryetari Ali Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpartiakët do ti nis takimet me strukturat lokale partiake në degët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe me qytetarët në komunat përkatëse. Takimi i parë do të mbahet ditën e shtunë në Çegran të Gostivarit, me fillim në ora 19:00. Shihemi e flasim”.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexheti ka informuar se takimi I radhës do të jetë në manastir.
IZET MEXHETI
“Të nderuar, ju njoftojmë se ditën e shtunë, në ora 19 do të jemi bashkë në Manastir, për të realizuar takim me strukturat e degës së Manastirit dhe për të dëgjuar zërin Tuaj!”.
Kreu i partisë, Ali Ahmeti vazhdon të këmbëngulë se nuk ka përçarje në BDI. Ndërkaq, nënkryetari Mexhiti gjatë takimit që kishte të shtunën në Studeniçan tha se janë më Ali Ahmetin, por kërkuan prej tij “të mos e djeg jorganin për disa pleshta”. /SHENJA/