(VIDEO) Tetova “kuq e zi” mirëpret Presidentin Begaj: Të ruajmë gjuhën dhe të bëhemi misionarë të shqiptarisë

(VIDEO) Tetova “kuq e zi” mirëpret Presidentin Begaj: Të ruajmë gjuhën dhe të bëhemi misionarë të shqiptarisë

Kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj, ka vazhduar takimet zyrtare të planifikuara në vizitën treditore në Maqedoninë e Veriut. Stacioni i radhës ishte Tetova, ku Begaj u prit nga kryetari i komunës, Bilall Kasami.

Përveç Kasamit, Begajn në Tetovë e pritën edhe një numër i madh qytetarësh, si dhe fëmijë që kishin dalë në rrugët e qytetit me flamuj kuqezi.

Presidenti shqiptar, në fjalimin e tij para qytetarëve të Tetovës, foli për rëndësinë e kultivimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe, si dhe për Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Begajt ka siguruar të drejtën themelore për çështjen e gjuhës.

BAJRAM BEGAJ – PRESIDENT I SHQIPËRISË

Të gjithë ne sipas mënyrës sonë sipas mundësive dhe aftësive duhet të bëhemi misionar, misionar të shqiptarisë. Të ruash, gjuhën, traditat dhe elementet e tjera identiare dhe ti promovosh këto vlera ndër breza e ndër vise është kauza jonë e përbashkët, kauza që na mban gjallë. Përsakohë që gjuha shqipe ka mbijetuar, kjo është dëshmi e përpjekjeve që janë bërë për ta ruajtur dhe trashëguar atë. Ne kemi detyrimin ta vijojmë këtë mision, ta trashëgojmë atë brez pas brezi”.

Nikoqiri e cilësoi ditën e sotme si një ditë të veçantë për qytetin, sepse, siç tha ai, për Tetovën dhe tetovarët është nder i madh të mirëpresin Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Para Begajt, Kasami tha se kjo është një dëshmi e lidhjes së fuqishme të shqiptarëve, kudo që ndodhen, me Shqipërinë.

BILALL KASAMI, KRYETAR I KOMUNËS SË TETOVËS

Kjo vizitë shënon jo vetëm një takim institucional por edhe një shprehje të gjallë të lidhjes së fuqishme në mes të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe atdheut të tyre, Shqipërisë. Tetova është një qendër e rëndësishme kulturore, arsimore dhe ekonomike për shqiptarët e RMV-së. Ne e kuptojmë rëndësinë e bashkëpunimit me vendin amë si një mision për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”.

Gjatë vizitës Begaj dhe Kasmi bashkërisht kanë vizituar momunentet e njohura kulturore të Tetovës, Xhaminë e Larme dhe Arabati Baba Teqe.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING