(VIDEO) Tërmeti me epiqendër në Mal të Zi u ndje edhe në Maqedoninë e Veriut

Tërmeti me magnitudë 5.4 sipas shkallës Rihter që goditi Malin e Zi mëngjesin e sotëm, është ndjerë edhe në Maqedoni të Veriut. Termeti u regjistrua rreth orës 04:06 minuta dhe është ndjerë në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Ohër, Strugë dhe Resnjë, ndërsa me intensitet prej 3 ballësh në Shkup, Kumanovë dhe Veles.
MARKETING
Drejtoria Hidrometeorologjike dhe Sizmologji njoftoi se epiqendra ishte në komunën e Pluzhinës, në thellësi prej 14 kilometrash. Nuk ka raportime për viktima dhe dëme, ndërsa shtojnë se mund të ketë dëme në zonën epiqendrore, por jo të konsiderueshme.
Drejtoria Hidrometeorologjike dhe Sizmologji
“Rrjeti telemetrik sizmologjik i Republikës së Maqedonisë, në stacionet sizmologjike të instaluara në gjithë territorin tonë, të mirëmbajtura nga Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave dhe Matematikës në Shkup, herët në mëngjes rreth orës 4 e 6 minuta ka regjistruar termet, epiqendra e të cilit ishte 247 km në veriperëndim të Shkupit, në Republikën e Malit të Zi, me magnitudën lokale të Rihterit 5.3″.
Sipas të dhënave të Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane, epiqendra e termetit ka qenë 76 km në veriperëndim të Podgoricës dhe 32 kilometra në veriperëndim të Nikshiqit.
Tërmeti është ndjerë në disa vende të Ballkanit dhe deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo viktima në njerëz. Banorët e Malit të Zi thonë se toka u drodh për një kohë të gjatë dhe të gjithë u zgjuan. Tërmeti i fortë u pasua nga 30 lëkundje të mëvonshme me intensitet më të ulët.
Emine Ismaili /SHENJA/