(VIDEO) “Tensionet Shkup-Sofje i hapin rrugë ndikimit rus”

(VIDEO) “Tensionet Shkup-Sofje i hapin rrugë ndikimit rus”

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se fushata e zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari dhe tensionet politike në Maqedoninë e Veriut janë shkaktarë të përshkallëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Osmani theksoi se marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë historikisht të vështira, komplekse dhe në pak periudha në të kaluarën kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM I MAQEDONISË SË VERIUT

“Shpallja e zgjedhjeve të parakoshme në Bullgari dhe tensionimi politik këtu në Maqedoninë e Veriut ka çuar në krijimin e kësaj situate. Këto situata zakonisht i nxisin edhe më tepër debatet e tilla. Nëse reagimi bullgar lidhet me incidentin në Ohër, mund të konstatohet si disproporcional sepse shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ta izoluar atë rast dhe për t’i identifikuar, për t’i nxjerrë para drejtësisë dhe për t’i dënuar autorët. Unë bëj thirrje për gjakftohësi”

Osmani ka deklaruar se tani duhet një ulje e tensioneve dhe rikthim i komunikimit normal mes dy shteteve që mos i lihet hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve që nga kjo të ushqehen dhe të ndërtojnë karrierat e tyre politike. /SHENJA/

 

MARKETING