(VIDEO) Temperaturat mbi 42 gradë, zjarret dhe ndotja ngulfatin Shkupin

(VIDEO) Temperaturat mbi 42 gradë, zjarret dhe ndotja ngulfatin Shkupin

RMV vazhdon të ngulfatet nga i nxehti i cili ka kapluar vendin. Në vend vazhdon të jetë aktiv alarmi i kuq i cili i referohet temperaturave shumë të larta të cilat janë prezente në të gjithë territorin e vendit. Vala e të nxehtit e bënë të papërballueshme ekspozimin e qytetarëve në ambiente të jashtme prandaj institucionet kompetente vazhdimisht apelojnë për kujdes. Nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike kanë paralajmëruar temperatura shumë të larta edhe gjatë ditës së sotme dhe në dy ditët në vazhdim.

DREJTORIA PËR PUNË HIDROMETEOROLOGJIKE

“Moti sot do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i ngrohtë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare në drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura maksimale do të jetë në intervalin 36 deri në 42 gradë Celsius. Moti I nxehtë  me temperature deri në 43 gradë do të vazhdojë edhe të premten dhe të shtunën”.

Në valën e temperaturave të larta alarmuese është edhe gjendja e ajrit të ndotur në vend. Zjarret masive të cilat kanë shpërthyer javëve të fundit e kanë rënduar edhe më shumë gjendjen me ajrin e ndotur. Ministri i mjedisit jetësor Izet Mexhiti i pyetur lidhur këtë tha se të martën është nënshkruar memorandum me një kompani të Turqisë për gazifikimin e tërësishëm të Maqedonisë dhe ndërtimin e sistemeve kogenerative për të cilat tha se do ta pastrojnë ajrin deri në 70%.

Sa i përket temperaturave shumë të larta, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar rekomandime për qytetarët, Qeveria ka miratuar Vendim që obligon punëdhënësit që t’i lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç ndërkaq Ministria e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve ekzistuese për vetëmbrojtje, të cilat përfshijnë qëndrimin në hapësira të freskëta, veçanërisht nga ora 11 deri në orën 17, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve me sheqer, veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyrë të hapur, përdorimin e mbrojtësve të kokës dhe syve, si dhe shmangien e aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta.

Piku i temperaturave të larta pritet gjatë ditës së premte dhe të shtunë për të cilat sinoptikët kanë paralajmëruar se do të arrijnë në 43 gradë Celsius, ndërkaq freski e motit dhe rënie e temperaturave priten gjatë ditës së diel.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING