(VIDEO) Të shtunën përfundon paraqitja e kandidaturave

Kanë mbetur edhe dy ditë, kur përfundon edhe afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar komunash dhe këshilltarë në Komisionet Komunale Zgjedhore, ndërsa partitë politike po shkojnë drejt rrumbullaksimit të kandidatëve të tyre, me të cilët do të kërkojnë besimin e qytetarëve në komunat përkatëse.
Në disa komuna tani më dihet gjithçka, sikurse ajo e Çairit, ku përveç kandidatëve zyrtarishtë dihet edhe bartësit e listave për këshilltar komunash. Aleanca Kombëtare për Integrim njoftoi se bartës liste në Çair do të jetë Kemal Matoshi, ndërsa nga VLEN është promovuar më herët, Muhamed Murtezi. Ndërkaq, në komunën e Sarajit, nga koalicioni VLEN bartës liste do të jetë Amir Idrizi, e nga AKI ende nuk dihet.
Situata u qartësua edhe në Komunën e Vrapçishtit, kandidati i AKI-së, Isen Shabani, do të përballet me kandidatin e VLEN-it, Memet Seferi. Edhe kryetari i Forcave Demokratike të Romëve (FDR) dhe njëherësh Ministër pa Portofol, Shaban Saliu, të mërkurën ka promovuar kandidaturën e tij për kryetar të komunës së Shuto Orizarës.
Kujtojmë, se kontrollimi publik i të dhënave nga Lista Zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 përfundon në mesnatë, ndërsa dy ditë më vonë, më 13 shtator në mesnatë, përfundon edhe afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar komunash dhe këshilltarë në Komisionet Komunale Zgjedhore .
Qytetarët mund të kryejnë kontroll publik në departamentet dhe zyrat rajonale të KSHZ-së dhe në faqen e internetit. Siç njoftojnë nga KSHZ, deri më 9 shtatori, gjithsej 5 729 qytetarë, nga të cilët 3 397 janë burra dhe 2332 janë gra, janë kontrolluar në Listën Zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 në departamentet rajonale të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. KSHZ ka sqaruar se tetë persona kanë kërkuar regjistrim në Listën zgjedhore, 136 persona kanë kërkuar fshirje – prej të cilëve 134 për shkak të vdekjes dhe dy persona për shkak të largimit nga shteti. Gjithsej 59 persona kanë kërkuar ndryshim të të dhënave në Listën zgjedhore më shpesh për shkak të ndryshimit të mbiemrit apo ndryshimit të adresës.
Samir Mustafa /SHENJA/