(VIDEO) Të punësuarit me kontrata nëpër spitale presin “aminin” e ministrive
Vit i ri, problematika të vjetra. Çdo fundvit të punësuarëve në institucione shtetërore me kontrata në vepër u përfundon kontrata dhe deri në kontratën e re, për disa muaj ata mbeten në paqartësi nëse do të vazhdojnë punën në atë vend të punës ose jo. Më e dukshme së fundmi ka qenë situata në institucionet shendetësore.
Sipas ministres së Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, muajin e fundit kanë marrë mbi 500 kërkesa për vazhdimin e kontratave në vepër. Për të punësuarit në spitalin e Tetovës ministrja tha se pëlqim për punësimin e tyre e ka dhënë që në muajin korrik.
Gordana Dimitrieska Koçoska, ministër i Financave
“Në spitalin e Tetovës në muajin korrik kanë marrë pajtim për punësimin e më shumë se 135 personave për kohë të pacaktuar. Pse nuk kanë arritur t’i realizojnë, duhet t’i pyesni ata, unë nuk mund të jap përgjigje këtu se përse kjo nuk është realizuar”.
Ajo potencoi se afati për të marrë mendim pozitiv ose negativ nga Ministria e Financave është 30 ditë, dhe se është e pamundur që kërkesa të arrij më 31 dhjetor dhe të gjitha të realizohen në të njejtën ditë.
I pyetur se përse nuk është bërë kërkesë më herët që të punësuarit nga 1 janari të vazhdojnë punën pa problem nëpër spitale, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu u përgjigj se sipas procedurave kërkesa nuk mund të bëhet pa u kryer kontrata.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Administrativisht nuk mund të bëni kërkesë derisa keni kontratë aktive. Nga ana tjetër nuk ka asnjë problem që të njejtit persona kur të marrin pëlqimin pozitiv të vazhdojnë me punë dhe të bëhet kontrata nga 1 janari dhe më tej”.
Ministri Aliu fajësoi ish pushtetin që këtyre të punësuarëve nuk ju ka dhënë vendime pune por i ka lënë me kontrata, dhe shtoi se kanë abuzuar me këta persona që t’i mbajnë peng dhe t’i lënë pa vendime.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

