(VIDEO) Të lënduarit e tragjedisë, 51 të lënduar po kurohen në 6 shtete të huaja

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se pacientët të cilët janë në gjendje kritike mund që sot dhe nesër të kenë komplikime. Megjithatë, njoftoi se ata tashmë po mjekohen jashtë vendit. Gjithsej 51 pacientë janë dërguar për mjekim të mëtejshëm në gjashtë shtete të ndryshme, ndërsa pritet që të dërgohen edhe të tjerë. Taravari thotë se vendi ka kapacitet për t’i trajtuar këta pacientë, megjithatë sipas tij, në vendet e jashtme ato mund të trajtohen në mënyrë më të specializuar. Ministri gjatë ditës do të vizioj pacientët e vendit tonë që po mjekohen në Sofje dhe Selanik.
Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë
“Siç ju kam thënë 20 janë në gjendje kritike, tani gjenden në Selanik dhe Sofje. Planifikoj sot të shkoj dhe ti takoj. Sipas informacioneve që kemi, janë jashtë rrezikut për jetë. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ju jepet mbështetje maksimaleshëndetësore. Ajo që varet nga ne mendoj se plotësisht e kemi bërë”.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se hetimi në diskotekën që u dogj do të tregoj shumë gjëra, por tha se për momentin nuk mund të flas pasi nuk dëshiron të dëmtoj hetimin. Ai shtoi se është shokuese që në mbarë vendin vetëm 12 klube nate kanë licencë për të punuar dhe premtoi se gjithë të tjerat do të mbyllen.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Është shokuese gjendja në këtë drejtim, erdhëm në përfundim se në vitin 2024 janë dhënë gjithësej 12 licenca për kabare dhe ju tani mund të paramendoni sesa klube punojnë mbarë vendit. Prej tyre, nuk dihet sa janë valide sepse disave supozoj se u ka skaduar licenca, sepse ato vlejnë vetëm për një vit. Kështu që na pret shumë punë. Të gjitha do të mbyllen. Ju premtoj se asnjëra që nuk ka licencë valide, nuk do të punoj”.
Kryeministri dhe ministri ju bënë thirrje të gjithë atyre që nuk janë paraqitur ndërsa kanë qenë natën e kobshme në atë diskotekë të paraqiten, kanë ose jo problem shëndetësor. Në spitalet e vendit po mjekohen 84 pacientë, dhe të gjithë janë në spitalet e Shkupit.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/