(VIDEO) Të hënën mbahet samiti Brdo-Brioni në Durrës

(VIDEO) Të hënën mbahet samiti Brdo-Brioni në Durrës

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës, për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, me fokus kryesor perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Samiti, i cili mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, dhe drejtohet nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova veçmë ka arritur në Durrës për të marrë pjesë në samit. Përveç, Siljanovskës, të pranishëm do të jenë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.  Iniciativa Brdo-Brioni synon të lehtësojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Një nga pikat kryesore të samitit në Durrës është Plani i Rritjes i BE-së, për të cilin Bashkimi Evropian ka krijuar një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027. Këto fonde synojnë të përshpejtojnë reformat dhe të nxisin konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në. Shpërndarja e fondit për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jetë si vijon:

Shqipëria: Mbi 920 milionë euro

Serbia: Mbi 1.5 miliard euro

Bosnja dhe Hercegovina: Rreth 900 milionë euro (pas uljes me 10% për shkak të vonesave në plan)

Kosova: 880 milionë euro

Maqedonia e Veriut: Mbi 750 milionë euroMali i Zi: 380 milionë euro.

Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.

/SHENJA/

MARKETING