(VIDEO) Të dielën voton Gostivari, Vrapçishti, Mavrovë-Rostusha dhe Qendra Zhupë

(VIDEO) Të dielën voton Gostivari, Vrapçishti, Mavrovë-Rostusha dhe Qendra Zhupë

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash në katër komunat – Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë – do të mbahen të dielën, më 11 janar. Fushata zgjedhore përfundon sonte  në mesnatë dhe më pas vijon heshtja zgjedhore që do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve të dielën në orën 19:00.

Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve sot i ka shpërndarë fletëvotimet dhe pajisjet për identifikim biometrik në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve. Nesër, të shtunën, të drejtë vote do të kenë qytetarët e sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe personat në burgje që janë të regjistruar në listat zgjedhore të këtyre komunave.

Në Gostivar janë të regjistruar gjithsej 82.870 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 78.185 janë banorë të përhershëm të komunës, ndërsa 4.604 janë të regjistruar në listën e posaçme për votuesit që jetojnë jashtë vendit. Në burg ose paraburgim ndodhen 81 persona.

Në Vrapçisht numri i votuesve të regjistruar është 27.279, prej të cilëve 26.318 janë banorë të komunës, 950 jetojnë jashtë vendit, ndërsa 11 janë në burg.

Mavrovë-Rostushë ka 10.575 votues – 9.622 në listën e rregullt për banorët e komunës, 951 jashtë vendit dhe dy në burg.

Qendër Zhupë është komuna më e vogël për nga numri i votuesve – 7.562, prej të cilëve 6.305 janë banorë të komunës, ndërsa 1.257 jetojnë jashtë vendit.

Sa i përket kandidatëve për kryetarë komunash, në Gostivar garojnë Nevzat Bejta nga koalicioni “Vlen” dhe Valbon Limani, i mbështetur nga AKI. Në Vrapçisht zgjedhja është mes Isen Shabanit nga AKI dhe Zuljhajrat Demirit, i mbështetur nga ASH e Selës dhe VLEN. Qendër Zhupë ka një kandidat – Arian Ibraim nga Partia Demokratike e Turqve, ndërsa në Mavrovë-Rostushë për kryetar komune garojnë Oner Jakupovski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Anes Ahmeti nga LSDM.  Ndryshe nga zgjedhjet e rregullta lokale, në zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet dalje minimale prej një të tretës së votuesve.  Arsyeja e përsëritjes së zgjedhjeve është dalja e pamjaftueshme në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në tetor 2025. /SHENJA/

MARKETING