(VIDEO) “Target-Fortesa” anulohet për nesër, gjykata sërish bëri gabime në ftesë

(VIDEO) “Target-Fortesa” anulohet për nesër, gjykata sërish bëri gabime në ftesë

Fillimi i shqyrtimit të ri për rastin “Target-Fortesa” u anulua për shkak se i akuzuari Toni Jakimovski nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Ai është dashur të merret nga Ohri, ku po vuan masën e arrestit shtëpiak për një rast tjetër. Mirëpo, pas një ore pritje i akuzuari nuk u paraqit. Gjyqtari Ilija Trpkov, njoftoi se ishte bërë një lëshim nga gjykata. Gjegjësisht, siç tha ai, Gjykata i ka dërguar thirrje Jakimovskit që sot të paraqitet në gjykatë, por nuk ka dërguar urdhër në stacionin policor për shoqërimin e të akuzuarit.Trpkov konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës kryesore dhe njoftoi se shqyrtimi do të fillojë nesër, kur përveç fjalëve hyrëse, do të dëshmojnë edhe  dy dëshmitarë, Xvonko Kostovski dhe Gjorgji Llazarevski.

Ndërkaq, Avokatët  e të akuzuarve,  kanë kërkuar që fillimisht të paraqiten provat materiale, e më pas të merren në pyetje dëshmitarët.

PETAR VASILEV, AVOKAT

“Është më e kapshme që fillimisht të paraqiten provat materiale sepse mbrojtja dëshiron që një pjesë të provave materiale t’ua paraqesë dëshmitarëve. Përndryshe, e drejta e mbrojtjes do të mohohet”.

Kërkesës së tij, gjyqtari iu përgjigj se do t’i lejohej të paraqesë provat gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

“Target-Fortesa”rifilloi, pasi më 16 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ish-drejtori DSK-së Sasho Mijallkov u dënua me 12 vjet burg.

“Target-Fortesa” është subjekti kryesor i aferës masive të përgjimeve të paligjshme dhe me aktgjykimin e shkallës së parë nga shkurti i vitit 2021, së bashku me Mijallkovin, me 4 vjet burg është dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska. Dënimet më të larta prej 15 vitesh burg iu dhanë Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski, të cilët janë në arrati në Greqi. Në këtë rast janë akuzuar gjithsej 11 persona. Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i cili u rrëzua nga Apeli, ata u dënuan me gjithsej 55 vjet burg dhe 10 vjet me kusht.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING