(VIDEO) Taravari braktis Qeverinë, akuza të ndërsjella mes atij dhe VLEN-it

Ende pa kaluar 24 orë nga vendimi i Aleancës për Shqiptarët për t’u larguar nga ekzekutivi, kanë filluar rivalitetet mes partnerëve të deritanishëm qeveritar, të cilat po shprehen në opinion me tone e akuza të ashpra drejtuar njëri tjetrit. I pari që ka reaguar ka qenë zëvendëskryeministri dhe një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti. Ai ka kritikuar ashpër vendimin e Taravarit, duke e akuzuar se nuk ka sjellë ndryshimin e premtuar, por përkundrazi, e ka penguar atë.
MARKETING
Izet Mexhiti, zvëndëskryeministër
“Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASh-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASh-së. Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari- intelektual apo i paarsimuar, punëtor ose afarist, burrë a grua- ti je zhgënjimi i secilit aktivist e simpatizant, i secilit shqiptar e shqiptare që e votoi dhe e mbështeti ndryshimin”.
Taravari i ka reaguar akuzave të Mexhitit, duke e quajtur këtë të fundit pensionist të BDI-së.
Arben Taravari, Kryetar i ASH-së
“Të flasi për ndryshim një veteran, pensionist i BDI-së që u nda prej saj vetëm për konflikte interesi, e që shumë shpejt pushteti e verboi me shkëlqimin e tij, është sa absurde po aq edhe qesharake! Të shkosh me ty është të paralizohesh!”.
Ndërkaq, gjatë konferencës së djeshme për media ku njoftoi për vendimin e partisë, Taravari tha se një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “balancuesit” dhe akuzoi se ka tendencë për margjinalizimin e shqiptarëve. Por, sipas VMRO – DPMNE-së, Taravari ka marrë pjesë në mënyrë aktive në mbledhjet e qeverisë, por në ato takime ai asnjëherë nuk ka folur për ligjin e gjuhëve e as për rregullimin e balancuesit.
Valentin Manasievski, VMRO – DPMNE
“Nuk ka folur dhe as nuk e ka dëgjuar dikush ndonjëherë të flasë për eurointegrimet, se janë bllokuar për shkak të kontestit të trashëguar me Bullgarisë, i krijuar pikërisht nga ata në përqafimin e të cilit po shkon tani. Por, e dimë se është interesuar për koncesionarin e parkingut të Qendrës Klinike – Gjoka, sepse u eliminua nga loja. Ai ishte shumë i interesuar për Artan Grubin, Zoran Zaevin dhe bizneset e tyre, si dhe për çështje të rëndësishme për BDI-në”.
Zhvillimet e fundit brenda koalicionit qeveritar kanë nxitur reagim edhe te opozita. Sipas BDI-së, me largimin e edhe një partneri shqiptar, kjo shumicë politike nuk ka legjitimitet etnik dhe është shndërruar në një qeveri monoetnike.
BDI
“Kjo shumicë parlamentare ka dështuar në interesat strategjike kyçe të shtetit dhe për këtë po shpërbëhet. Është koha që legjitimiteti i përfaqësuesve politikë të rivlerësohet përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.
Ndërsa sipas LSDM-së, ky është konfirmim se, kjo qeverit është jofunksionale, destruktive dhe plotësisht e zhytur në interesat e veta.
Bogdanka Kuzeska, LSDM
“Në më pak se një vit, kjo qeveri po fillon të shpërbëhet, sepse u formua vetëm për të kënaqur apetitet personale. Koalicioni po shkërmoqet ngadalë, sepse nuk ka asnjë arsye që të ekzistojë – asgjë nuk e mban të bashkuar përveç funksioneve”.
Vendimi i Aleancës për Shqiptarët për dalje nga qeveria, erdhi pas mosmarrëveshjeve që partnerët brenda koalicionit VLEN kishin rreth zgjedhjeve lokale. Pas vendimit të Taravarit që partia e tij të dal me lista të posaçme në zgjedhjet lokale, ai u përjashtua nga koalicioni VLEN.
Teuta Buçi /SHENJA/