(VIDEO) Taravari: As që e kemi plan të dalim prej Qeverie

Arben Taravari, njëri nga liderët e VLEN-it
“As që e kemi thënë se dalim prej Qeverie, as që e kemi plan të dalim prej Qeverie”.
Bazuar në gjithë vorbullin e zhvillimeve të fundit dhe deklaratave të dhëna, Arben Taravari u pyet se a po del nga Qeveria, mirëpo ai në mënyrë të prerë thotë se nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë.
Nga Qeveria thotë se nuk do të dalë, por e pranon se ka pakënaqësi të qytetarëve për funksionimin e VLEN-it në Qeveri. Mirëpo, njëkohësisht thotë se nuk ka pakënaqësi të qytetarëve për funksionimin e plotë të Qeverisë.
Sinkron: Arben Taravari, njëri nga liderët e VLEN-it
“Kur e them prej VLEN-it, çdo herë nisem prej vetes, pastaj shkojnë të tjerët. Se ka njëfarë pakënaqësie prej funksionimit të VLEN-it brenda Qeverisë, kjo është fakt i pamohueshëm, se njerëzit janë të kënaqur prej funksionimit të Qeverisë, edhe ky është fakt i pamohueshëm. Unë mendoj se desinkronizimi ynë brenda VLEN-it, mendoj se është problemi kryesor dhe na duhet sinkronizim më i mirë”.
Megjithatë, shprehet se nuk ka gjasa të braktis as VLEN-in. E në pyetjen se a është më mirë që koaliconi të ketë vetëm një kryetar, ky i duket opcion i mirë.
Arben Taravari, njëri nga liderët e VLEN-it
“Mendoj se mund të ishte opcion shumë më i mirë, por tash deri në zgjedhje lokale kjo është zgjidhje e pamundur, që pas zgjedhjeve e shohim dhe bëjmë”.
Përderisa shpreh pakënaqësitë e tij për VLEN-in se janë shumë të desinkronizuar, për kryeministrin Hristijan Mickoskin, Taravari flet me shumë kujdes. I pyetur për zhbllokimin e eurointegrimeve dhe votimin e ndryshimeve kushtetuese, ai thekson se kryeministri ka shumë të drejtë për kushtet që i kërkon dhe se ndrshimet kushtetuese ose fillimi i negociatave nuk bëhet pa dakordimin e VMRO-DPMNE-së dhe popullit maqedonas.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/