(VIDEO) Taravari: 10.000 qytetarë e kanë pranuar vaksinën kundër gripit sezonal
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot gjatë pranimit të vaksinës kundër gripit njoftoi se deri më tani 10.000 qytetarë e kanë pranuar vaksinën kundër gripit, ndërsa 52.000 qytetarë janë paraqitur për vaksinat në aplikacionin vakcinacija.mk. Taravari tha se marrja e vaksinës është mënyra më e mirë për t’i parandaluar komplikimet që mund t’i shkaktojë gripi, tek personat e kategorive të rrezikuara.
ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Edhe unë si ministër deshta sot të jap shembull se mirë është të pranohet kjo vaksinë pasi që i parandalon komplikimet dhe sëmundjet posaçërisht te njerëzit e kategorive më të moshuara apo me sëmundje të ndryshme. Deri tani në Maqedoni kanë pranuar vaksinën mbi 10.000 qytetarë, kemi një aplikacion ku mund të paraqiten qytetarët, quhet vakcinacija.mk. Deri sot janë paraqitur 52.000 qytetarë. Ministria e Shëndetësisë bashkë me institutin e shëndetit publik kanë siguruar 70.000 vaksina kështu që uroj sa më shumë njerëz këtë periudhë ta pranojnë këtë vaksinë”.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonova tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti kanë siguruar gjithsej 70 mijë vaksina dhe njoftoi se nga dita e sotme ekipe mobile dalin në terren për të vaksinuar punëtorët shëndetësor.
MARIJA ANDONOVA, DREJTORESHË E INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK
“Me insistimin e ministrit për efikasitet më të madh dhe në marrëveshje me të, Instituti i Shëndetit Publik po formon ekipe mobile, të cilat nga sot do të nisin të dalin në terren në objektet shëndetësore për tre arsye. Së pari, për të ua lehtësuar punonjësve të shëndetësisë, së dyti, për të rritur numrin e të vaksinuarve dhe synimi ynë i tretë është të jemi më efikas, ta përfundojmë më shpejt që Instituti të vazhdojë me vaksinimin e qytetarëve të tjerë”.
Vaksinimi kundër gripit ka filluar ditën e hënë. Institucionet shëndetësore kanë njoftuar se qytetarët kanë shfaqur interes të lartë për pranimin e vaksinave.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/