(VIDEO) Takohen redaksitë e posaçme të Enciklopedisë shqiptare

(VIDEO) Takohen redaksitë e posaçme të Enciklopedisë shqiptare

Redaksia e Posaçme e Enciklopedisë Shqiptare e RMV-së zhvilloi takim me përfaqësues të Redaksisë Qëndrore. Në këtë takim ata bënë me dije se e kanë kryer fazën e parë të projektit që është përcaktimi i zërave dhe tani vijon faza e dytë, në të cilën bëhet caktimi i autorëve dhe artikujve. Ky projekt sipas drejtorit të Qendrës për Enciklopedi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Andreas Dushi, do të zgjatë dy vite dhe fillimisht panifikojnë ta ofrojnë në format dixhital dhe më pas në format të shtypur.

Andreas Dushi,  drejtor i Qendrës për Enciklopedi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë 

“Projekti i Enciklopedisë Shqiptare është një projekt i përbashkët mes dy Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, i cili është konceptuar në mënyrë të atillë që të jetë i ndarë në 26 redaksi vendore dhe tematike. Redaksia e posaçme e Maqedonisë së Veriut ka pasur mundësinë me propozu fjalë dhe artikuj në secilën prej këtyre redaksive tematike dhe me sa e di unë është e përfaqësuar në secilën prej tyre”.

I pyetur se a ka kanë bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në këtë projekt, Aziz Pollozhani, anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë në RMV  u shpreh se janë trup i posaçëm dhe nuk ka dhe nuk parasheh asnjë komunikim me ASHAM-in.

Aziz Pollozhani, anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë në RMV 

“Ne do të mundohemi me anë të argumenteve dhe fakteve që janë të përmbledhura dhe verifikuara për të kaluarën dhe sidomos për çështje të cilat tangojnë shqiptarët e Maqedonisë që në njëfarë mënyre të pasqyrohet një material i shkruar ku pasqyrohet një e vërtetë e cila është e bazuar vetëm në fakte…mbi çështje të ndryshme të cilat në njëfarë mënyre shpesh herë turbullojnë edhe raportet ndëretnike”.

Në Enciklopedinë maqedonase të bërë nga ASHAM në vitin 2009, kur me pushtetin udhëhiqte kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, shqiptarët ishin quajtur si barbarë të cilët vinin nga malet e veriut të Shqipërisë dhe uzurponin tokat maqedonase gjatë viteve të shekullit VII. Për shkak të pavërtetave ofenduese për shqiptarët e Maqedonisë, ASHAM tërhoqi nga përdorimi.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING