(VIDEO) Takim i Qeverisë dhe Sindikatës pas kthimit të kryeministrit nga SHBA-ja
Kryeministri Hristijan Mickoski do të takojë Sindikatën e punëtorëve nga administrata, organet e drejtësisë dhe shoqatat e qytetarëve, pasi të kthehet nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të ditur nga Qeveria. Ata kanë thënë se, qëllimi i tyre është që të gjendet zgjidhje në përputhje me mundësitë e buxhetit.
Qeveria
“Menjëherë pas kthimit nga SHBA, kryeministri Hristijan Mickoski do t’i pranojë përfaqësuesit e Sindikatës dhe do të diskutojë për gjetjen e një zgjidhje e cila do të jetë në favor të punëtorëve dhe përmbushjes së të drejtave të tyre. Është pozitive ajo që liderët e sindikatës pranojnë dialog në vend të masave restriktive dhe të nxituara si portestë, pa u shterur mundësitë për dialog dhe gjetje të zgjiidhjeve përfundimtare”.
Ndërkaq, LSDM pretendon se, Qeveria ka buxhet rekord këtë vit. Sipas tyre, refuzimi i qeverisë për të rritur pagat e punëtorëve, është i papranueshëm dhe tergon mosrespektim të punës së punëtorëve dhe paaftësinë e pushtetit t’i përgjigjet nevojave ekonomike të qytetarëve.
Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së
“Nuk mundet që Qeveria të ketë 6 miliardë euro buxhet, të marrë 200 milionë euro të tjera hua-marrje dhe të mos ketë para për paga më të larta për punëtorët. Natyrisht, gjëja më e rëndësishme për qeverinë është komoditeti i funksionarëve, rrogat e tyre të larta, makinat e shtrenjta, mobiljet luksoze dhe punëtorët janë lënë vetëm. LSDM nuk do të tërhiqet nga lufta për të drejtat e punëtorëve dhe përmirësimin e standardit të tyre jetësor. Qytetarët meritojnë më mirë, meritojnë paga më të larta dhe një jetë të dinjitetshme”.
Sindikata e Punëtorëve të Administratës së Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve dje i kanë dërguar Qeverisë kërkesë formale për t’u takuar me kryeministrin dhe për të vazhduar dialogun i cili, sipas sindikatës, është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Financave. Të punësuarit e 7 ministrive, Entit Shtetëror të Statistikave dhe Arkivit Shtetëror kanë protestuar nga dita e hënë duke kërkuar rritje të pagave për 30%.
Teuta Buçi /SHENJA/