(VIDEO) Sulmi mbi Arsovskën, Lamallari deklarohet se është i pafajshëm

Në Gjykatën Penale në Shkup është zhvilluar seanca e parë mbi sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Në këtë seancë, i akuzuari Sulejman Lamallari u deklarua i pafajshëm për ngjarjet që ndodhën më 11 korrik në lagjen Serovë të Komunës së Çairit.
Avokatja mbrojtëse e Lamallarit, Ivanka Jakimovska ka deklaruar se në po të njëjtën ditë klienti i sajë gjithashtu ka denoncuar në policinë e Bit Pazarit se është sulmuar fizikisht dhe ka denoncuar kryetaren Arsovska për dhunë. Mes tjerash, ajo propozoi një sërë provash, përfshirë konfirmimin nga stacioni policor për incidentin, dëshmitarë – mes tyre edhe zyrtarët policorë të pranishëm.
Jakimovska gjithashtu kërkoi që provat materiale të paraqitura nga ana e Arsovskës dhe mbrojtjes së saj, përfshirë fotografitë dhe video-incizimet, të mos pranohen nga gjykata, me arsyetimin se janë siguruar në mënyrë të paligjshme.
Ndërkaq, Prokuroria ka zbuluar edhe akt-akuzën që rëndon mbi Sulejman Lamallarin, duke sqaruar në tërësi edhe rastin që ndodhi ditën e 11 korrikut.
PROKURORIA THEMELORE
“Ndërsa kryetarja e komunës, së bashku me zyrtarë të autorizuar, ndodhej në terren pas një denoncimi nga qytetarët për ndërtim të paligjshëm dhe kyçje të paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit dhe atë elektrik, i akuzuari ka mbërritur në vendngjarje me trotinet elektrik dhe i është afruar në mënyrë kërcënuese. Më pas, ai e ka sulmuar fizikisht kryetaren, duke e goditur fillimisht në fytyrë dhe në dorë, e më pas edhe me shkelm në pjesën e poshtme të këmbës së majtë”.
Prokuroriasqaron se edhe pas ndërhyrjes së menjëhershme të zyrtarëve policorë me uniformë, të cilët tentuan ta ndalonin, i akuzuari ka vazhduar me fyerje dhe kërcënime ndaj saj.
Sulejman Lamallari, është ish-punonjës i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, dhe i njëjti aktualisht mbahet në paraburgim. Vetëm disa ditë para se të ndodhë sulmi mbi Arsovskën, Lamallari është larguar nga puna ku ka qenë I angazhuar.
Mevludin Imeri /SHENJA/