(VIDEO) Studentët kërkojnë që racioni i ushqimit të rritet për 10 denarë në ditë

Studentët kërkojnë rritje të racionit studentor nga 140 në 150 denarë në ditë. Këtë kërkesë e bëri Trupi Kombëtar Studentor të cilët i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit që kjo rritje e racionit të bëhet nga fillimi i vitit 2026. Prandaj ata thanë se këtë kërkesë e bëjnë që tani në mënyrë që Qeveria ta planifikojë me buxhetin e ri të vitit 2026.
SINKRON:
“Si trup nacional studentor, si trup përfaqësues të të gjithë studentëve të këtij shteti, kërkojmë që para planifikimit dhe para sjelljes së buxhetit për vitin 2026, parashikim të mjeteve për rritjen e shumës së subvencionit të racionit studentore nga 140 në 150 denarë”.
Shuma e ushqimit studentor të subvencionuar, harmonizohet në përputhje me normën e inflacionit pas çdo viti fiskal dhe para miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm. Për herë të fundit, vlera e shumicës për ushqimin e subvencionuar u ndryshua në vitin 2023 nga 120 në 140 denarë në ditë.
ALEKSANDËR NIKOLLOVSKI, KRYETAR I TRUPIT NACIONAL STUDENTOR
“Shkalla e inflacionit për vitin 2025 është parashikuar të jetë 3.4 %, ndërsa Banka Popullore ka projrktuar 3%. Nëse bëhet përllogaritje për të dy vitet, shuma e racionit studentor duhet të rritet për 10 denarë, në fillim të vitit 2026. Implikimet fiskale për rritjen janë si në vijim: nëse merret parasysh se mesatarisht 30 000 studentë janë shfrytëzues të kësaj mase, gjatë 9 muajve të vitit, atëherë për këtë rritje nevojiten 1 milion e 141 mijë euro në vit”.
Sipas ministres së Arsimit Vesna Janevskas, rritje të racionit studentor mund të ketë, por jo këtë vit, pasi siç tha kjo do të varet nga buxheti i shtetit.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Kjo kërkesë ka arritur te unë. Mendoj se në të ardhmen mund të merremi vesh, por në këtë moment nuk mund të garantoj sepse buxheti i Ministrisë së Arsimit varet nga buxheti i shtetit. Sigurisht që do të merrem me këtë, nëse është e mundur edhe këtë vit të realizohet sepse sinqerisht mendoj se ata duhet të kenë kushte që të mund të mësojnë dhe sinqerisht mendoj se janë ata që kontribojnë për zhvillimin e shtetit”.
Trupi Kombëtar Studentor vlerëson se kjo përshtatje nuk paraqet përfitim shtesë, por është një hap I domosdoshëm për ruajtjen e vlerës reale të ushqimit studentor. /SHENJA/