(VIDEO) Spitali modular në Kumanovë do të shndërrohet në fizioterapi
Spitali modular për Covid në Kumanovë do të shndërrohet në repart për fizio–terapi, ky është vendimi i ekipit të ri menaxhues. Sipas tyre, projektet e reja për funksionalitetin e objektit janë duke u zhvilluar si dhe po bëhet kthimi i imazhit të humbur. Për projektin e fizioterapisë, drejtori i spitalit të Kumanovës, Stefan Trajanovski, theksoi se kanë bërë ndërhyrje në rrjetin elektrik për mbrojtje nga zjarri ku gjithashtu do të bëhet edhe një analizë edhe për pajisjet e tjera që do të përfshihen.
STEFAN TRAJANOVSKI, DREJTOR I SPITALIT TË KUMANOVËS
“Mbetet edhe një raport. Raporti për përshtatshmëri arkitektonike dhe ndërtimtari është bërë, më pas kemi bërë një ndërhyrje në rrjetin elektrik për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të besueshëm për të gjitha pajisjet e mundshme që mund të shkaktojnë zjarr dhe një analizë tjetër mbetet për të gjithë pajisjet që do të përfshihen.”
Rastet urgjente gjinekologjike do të ekzaminohen në urgjencën e vjetër. Ndërsa hapësira e ndarë do të përdoret për ekzaminime të të sëmurëve kronikë dhe pacientëve me termin.
Trajanovski shtoi se spitalin e ka gjetur në gjendje të keqe financiare dhe shpreson se me buxhetin e ri për vitin e ardhshëm do të sigurohen mjete për pajisje të reja, por edhe për riekipimin e tyre në aspektin e personelit.
Në ndërkohë po bëhet edhe pastrimi i obrrit të spitalit, ku ditëve të fundit janë nxjerrë 4 tonë plehra. Poashtu është duke u zhvilluar edhe procedura për largimin e automjeteve të dëmtuara.
Spitali i Kumanovës mbulon territorin e gjashtë komunave nga verilindja. U ofron kujdes shëndetësor banorëve të Likovës, Nagoriçanit të Vjetër, Kratovës, Kriva Pallankës dhe Rankovcës me rreth 200.000 banorë.
Merxhane Iseni /SHENJA/