(VIDEO) Spasovski për tunelin në Idrizovë: Hetimet kanë filluar dy muaj më parë!
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot tha se po ndërmerren masa të gjera hetimore për zbardhjen e rastit të tentimarratisjes së organizuar të të burgosurve nga burgu i Idrizovës me hapjen e një tuneli nëntokësor. Ai deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur informacione afër dy muaj para se të zbulohej tuneli.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM
“Në burgun e Idrizovës janë duke u ndërmarrë masa të gjera hetimore, jo vetëm tani pas zbulimit. Ky proces ka filluar më parë. Gjithçka që përfshihet në masat hetimore për të siguruar prova. Hetimet janë duke u bërë në bashkëpunim me prokurorin publik për krim të organizuar. Ndër të tjera duhet të dëshmohet edhe pjesëmarrja e punëtorëve në institucionet e burgjeve në këtë histori”
Spasovski ka deklaruar se gjatë gjithë kohës punojnë nga afër me Administratën e Ekzekutimit të Sanksioneve, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe në këtë kuadër është ngritur niveli i sigurisë si në burg ashtu edhe jashtë burgut. “Ministria e Drejtësisë dhe Administrata për ekzekutimin e sanksioneve janë kompetente, por MPB-ja ka qenë gjithmonë aty për të ndihmuar dhe për të mos cenuar sigurinë”, tha Spasovski.
Ai tha se duhet të ketë sanksione dhe përgjegjësi për këdo që ka kryer një krim. /SHENJA/