(VIDEO) Spasovki: Ngjarja në Ohër pjesë e sulmeve hibride
Pjesë e luftës hibride kundër Maqedonisë së Veriut është edhe rasti i fundit në Ohër, me rrahjen e Hristijan Pendikovit, sekretarit të klubit kulturor bullgar, i cili ka dëmtuar këto ditë marrëdhëniet e brishta maqedono-bullgare, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për slloboden peçat.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Njerëz nga i njëjti grup janë ata që rrahin dhe ata që rrihen. Kjo dëshmon atë luftë hibride. Çdo veprim inkriminues i ndërmarrë nga shteti reagon në këtë seksion dhe themi se në asnjë moment asnjë qytetar, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, politike apo çfarëdo lloji tjetër, nuk mund të sulmohet dhe keqtrajtohet fizikisht” .
Spasovski theksoi se nuk ka nevojë për asnjë lloj organizimi të qytetarëve për bllokada apo roje të natës në ditën e festimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit, sepse institucionet e sistemit janë këtu, për të kryer punën e tyre.
Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij para përfaqësuesve të trupit diplomatik tha se amendamentet kushtetuese së shpejti duhet të jenë në agjendën e brendshme, por çdo provokim apo sulm i mëtejmë ndaj identitetit tonë vetëm do ta komplikojë edhe më shumë procesin, i cili gjithsesi nuk do të jetë i lehtë.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Pas tre vitesh anëtarësim në Aleancë, besoj se askush nuk dyshon më se edhe një vend i vogël si Maqedonia e Veriut mund të jetë një partner i rëndësishëm dhe të kontribuojë për paqen në kuadrin rajonal dhe evropian. Në të njëjtën kohë, këtë vit presim të përfundojmë fazën e shqyrtimit të procesit të negociatave me Unionin dhe të shkojmë drejt hapjes së klasterave.”
Partia opozitare VMRO-DPMNE akuzon kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe presidentin e shtetit Stevo Pendarovski se kanë ngecur deri në atë masë saqë pas të gjitha zhvillimeve kanë akuzuar shërbimet e huaja për pamundësinë e tyre për të normalizuar marrëdhëniet, pa thënë se kush janë ata dhe cilat janë interesat e tyre.
Edhe Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, bëri thirrje që të veprohet me qetësi dhe të qetësohen tensionet në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat u përshkallëzuan pas incidenteve të padëshiruara në Ohër.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/