(VIDEO) Sot heshtje zgjedhore, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në vend do të mbahet nesër, ndërsa sot, si zakonisht, të parët votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat që ndodhënm në shtëpitë e të moshuarve.
Sipas informacioneve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve , sot votojnë 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, kërkesat e të cilëve janë miratuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore. Votojnë gjithashtu të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak nga komunat ku zgjidhen kryetarë komunash.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, të dielën do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit , si dhe në tre vendvotime në Shuto Orizarë për këshilltarë.
Të drejtë vote kanë 1.013.375 qytetarë. Fushata zgjedhore për raundin e dytë përfundoi mbrëmë në mesnatë dhe do të zgjasë deri nesër në orën 19:00, kur mbyllen vendvotimet.
Zgjedhjet i ndjekin 1.598 vëzhgues, vendas dhe të huaj. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale u zgjodhën këshilltarë në 79 komuna dhe në Qytetin e Shkupit , si dhe kryetarë komunash në 44 komuna , shumica e të cilëve tashmë kanë marrë detyrat e tyre të reja.
Në komunat Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë dhe Rostushë dhe në Qendër Zhupë, zgjedhjet për kryetarë komunash dështuan, pasi nuk u arrit cenzusi.
Për këto katër komuna do të ketë zgjedhje të reja, të cilat do të shpallen dhe organizohen pasi të publikohen rezultatet përfundimtare të raundit të dytë .
Zgjedhjet lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbahen çdo katër vjet. Këto janë të tetat me radhë, që nga pavarësia e shtetit në vitin 1991.
Samir Mustafa /SHENJA/

