(VIDEO) Sonte përfundon fushata, votojnë mbi një milionë qytetarë
 
						Sonte në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Shkup dhe në 32 komuna të tjera të Republikës së Maqedonia e Veriut, të cilat zhvillohen të dielën, më 2 nëntor.
Sipas kalendarit zgjedhor, prej mesnate fillon periudha e heshtjes para-zgjedhore, e cila zgjat deri në orën 19:00 të së dielës, përpara hapjes së qendrave të votimit. Në komunat ku do të zhvillohet raundi i dytë për kryetarë, paraprakisht, të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak – të cilëve aplikacionet janë pranuar nga komisionet komunale – do të jenë të parët që votojnë të shtunën.
Në përgjithësi 1.013.375 votues kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 2 nëntor. Për zgjedhjen e kryetarit të komunës të dielën do të votohet në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa në tre vendvotime në Komunën e Shuto Orizarit, do të përsëritet votimi për këshilltarë për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë votimit më 19 tetor.
Sipas informacioneve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve , për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale janë paraqitur 4 826 persona të sëmurë dhe të paaftë, ndërsa më së shumti ka në Kërçovë – 823 persona.
Zgjedhjet e këtij viti vijnë në një situatë ku VMRO‑DPMNE udhëheq në shumicën e komunave pas raundit të parë, dhe koalicioni VLEN ka arritur që të fitoj në disa komuna që pas shumë dekadave ishin bastione të BDI-së. Në garën për 2 nëntor në qendër të vëmendjes janë Qyteti i Shkupit, si dhe komunat Tetova, Kërçova, Struga, Bërvenica, Bogovina, etj. Raundi i dytë të dielën do të jetë vendimtar pasi që do të krijohet harta e re politike në Maqedoninë e Veriut.
Samir Mustafa /SHENJA/


 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	 
			 	