(VIDEO) Sonja Simovska do të ushtrojë për 6 muaj detyrën e kryeprokurores në vend të Joveskit
Këshilli i prokurorëve e zgjodhi Prokuroren Sonja Simovska për ushtrues detyre të krye prokurorit publik. Zgjedhja e saj pasoi për shkak se kryeprokurori Ljubomr Joveski po pensionohet dhe se partnerët e koalicionit nuk arritën të kuptohen se kush do të jetë prokuror i ri.
Pas qartësimit se deri në fund të vitit nuk do të mund të ketë përzgjedhje të prokurorit të ri publik, u realizua mënyra e emërimit të ushtruesit të detyrës. Në këtë seancë për këtë detyrë u votua Sonja Simovska ndërsa mandati i saj nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Sipas informacioneve, në garë për prokurorin e ri publik republikan janë Fatime Fetai, Lidija Raiçeviq dhe Ljupço Koçevski.
Përndryshe, më 19 dhjetor, Qeveria vendosi që kandidatët për kryeprokuror t’i dërgoj për mendim në Këshillin e Prokurorëve. Me propozim të Qeverisë, konkursin e shpalli Kuvendi më 29 nëntor dhe zgjati 15 ditë.
Pas përfundimit të shpalljes, me kërkesë të Qeverisë, Këshilli i Prokurorëve Publik, jep mendim pozitiv apo negativ për kandidatët dhe pastaj Qeveria i paraqet Kuvendit një propozim për zgjedhjen e njërit prej kandidatëve qe kanë mendim pozitiv. Më pas Kuvendi cakton seancën për votim dhe zgjedhja bëhet me shumicën e votave.
Duke qenë se krye prokurori për postin e tij të fuqishëm duhet të marrë fillimisht përgjigje pozitive nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi, nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për ndonjërin prej kandidatëve, atëherë Qeveria do të kërkojë nga Kuvendi të përsërisë shpalljen.
Shpallja për kryeprokuror ka gjasa të dështojë pasi në pranverë do të ketë zgjedhje parlamentare.
/SHENJA/