(VIDEO) Sofja paralajmëron veto të re, nëse ndryshohet konsensusi evropian
MARKETING
Përplasjet deklarative mes Shkupit dhe Sofjes kanë rikthyer në fokus raportet mes dy vendeve, pasi eurodeputeti bullgar, Ilija Lazarov, ka deklaruar se çdo ndryshim në konsensusin evropian mund të çojë në vendosjen e vetos ndaj anëtarësimit të vendit në Bashkimi Evropian.
MARKETING
Në një intervistë për televizionin bullgar BGNES, Lazarov theksoi se eurodeputeti Tomas Vajc, sipas tij, po vepron nën ndikimin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të jashtëm Timço Mucunski, duke e akuzuar atë për krijim të “zhurmës propagandistike”.
Tabelë: ILIJA LAZAROV, EURODEPUTETI BULLGAR
“Kur një shtet aplikon për të hyrë në një klub si Bashkimi Evropian, ai duhet të respektojë rregullat dhe të sillet në mënyrë të përshtatshme. Nuk mund të imponohen qëndrime të njëanshme duke sfiduar marrëveshjet ekzistuese”.
Reagimi i tij vjen pas iniciativës së Vajcit për të propozuar amendamente në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, ku vihet në pikëpyetje protokolli i dytë i marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes. Ky protokoll është pjesë e kornizës negociuese të BE-së dhe lidhet drejtpërdrejt me përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut , një nga kushtet kyçe për nisjen e negociatave. Lazarov rikujtoi se i ashtuquajturi “propozim francez”, i cili zhbllokoi procesin në vitin 2022, është miratuar nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga institucionet e atëhershme në Shkup. Sipas tij, kjo marrëveshje është e mbyllur dhe nuk mund të rihapet për diskutim.
Tabelë: ILIJA LAZAROV, EURODEPUTETI BULLGAR
“Ky është një proces i përfunduar. Marrëveshjet janë ratifikuar dhe duhet të zbatohen pa kushte. Çdo përpjekje për t’i ndryshuar ato përbën rrezik për gjithë procesin e integrimit”.
Në këtë kontekst, Lazarov bëri të ditur se në një takim me zëvendëspresidenten bullgare Ilijana Jotova është arritur një qëndrim i përbashkët institucional. Sipas tij, të gjitha institucionet në Bullgari, përfshirë presidentin, qeverinë, ministrinë e jashtme, partitë parlamentare dhe eurodeputetët, janë të unifikuara në qëndrimin se nuk do të lejojnë ndryshime në kornizën aktuale.
Samir Mustafa /SHENJA/

