(VIDEO) Sindikata në RMV kërkon që paga minimale të jetë 600 euro, në të kundërt protesta
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, thotë se standardi i punëtorëve në vitin 2025 është i pamjaftueshëm, ndërsa pagat janë në nivel shumë të ulët dhe mungon dialogu social.
Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, ai thotë se rritja ligjore prej 1.500–2.000 denarësh është e turpshme dhe e pamjaftueshme. Trendafilov paralajmëron protesta dhe greva nëse paga minimale nuk rritet në të paktën 600 euro nga janari.
SINKRON: SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Një anketë me 1.600 të anketuar tregoi se paga minimale prej 500 eurosh tashmë është ‘ngrënë’ nga inflacioni dhe nuk mjafton për nevojat bazë. Punëtorët mendojnë se ajo duhet të jetë mes 600 dhe 700 eurove. Të dhënat nga institucionet shtetërore tregojnë se pas rritjes së pagës minimale në vitin 2022, numri i kompanive të reja është dyfish më i madh se i atyre të mbyllura dhe punësimi është rritur. Fitimi që punëtorët gjenerojnë me produktivitetin e tyre është nga 5 deri në 10 mijë euro neto në vit për punëdhënësit. 73% e të punësuarve marrin pagë nën mesataren, ndërsa mbi mesataren janë vetëm funksionarët me paga 2–2,5 mijë euro”.
Ai shton se punëtorët e RMV-së janë shumë produktivë, por paguhen shumë më pak se në vendet e rajonit. Kryetari I Lidhjes së Sindikatave paralajmëron edhe rikthimin e “pagës në zarf”, duke theksuar se qindra miliona euro në vit shmangen nga pagesa e kontributeve.
SINKRON: SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“33% e punëtorëve marrin zyrtarisht nën 500 euro, por në realitet marrin më shumë në dorë, pa u paguar kontributet. Analizat tregojnë se rreth 250 milionë euro në vit nuk paguhen si kontribute, ndërsa paratë u jepen punëtorëve në dorë. Prandaj kërkojmë rritje të pagës minimale, mbi të cilën do të paguhen kontributet”.
LSM kundërshton metodologjinë e re të Qeverisë për shportën mesatare të konsumit, duke theksuar se ajo nuk pasqyron realisht nevojat e familjeve. Sipas sindikatës, shporta minimale prej 65.000 denarësh nuk mjafton për një familje katër anëtarëshe dhe vlera reale duhet të jetë mbi 100.000 denarë. Qeveria akuzohet për manipulim të shifrave duke përfshirë produkte luksoze dhe ekzotike që punëtorët nuk mund t’i përballojnë. Qëllimi, sipas LSM-së, është të krijohet përshtypja se “jetohet mirë”, në vend që të pranohet se pagat janë të ulëta dhe duhet të rriten urgjentisht. /SHENJA/

