(VIDEO) Sindikalistët paralajmërojnë bllokimin e Kuvendit dhe grevë të përgjithshme
Pas protestës për rritje të rrogës minimale Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka njoftuar se nga java e ardhëshme do të ketë bllokada të reja duke filluar nga bllokada e Kuvendit për shkak se siç tha, kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov janë deputetët ata që bllokojnë dhe nuk e miratojnë ligjin për rritjen e pagës minimale.
Sipas kryetarit të sindikatës, punonjësit në protestë i bashkoi varfëria dhe se të njëjtit nuk frikësohen nga kërcënimet. Ai thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë rritja e rrogës minimale në 600 euro.
SLLOBODAN TRENDAFILLOV, KRYETAR I LSM-SË
“Javën e ardhshme, ashtu siç e përmendëm në protestë do të fillojmë me bllokada. Deputetët në Kuvend sigurt do të jenë të parët që do t’i bllokojmë sepse janë ata na bllokojnë për një vit të tërë dhe e ruajnë ligjin në syrtarë dhe nuk duan t’i rrisin pagat e punonjësve. Me shumë gjasë deputetët javën e ardhshme do të vijnë në punë me transport publik ose në këmbë, siç shkojnë në punë shumica e qytetarëve, pa pasur të drejtë për harxhime rrugore dhe do ti presim që t’ua rikujtojmë se duhet të votojnë”.
Trendafillov deklaroi se pas protestave, Qeveria është e frikësuar dhe ka filluar të përmend numra dhe shifra për rritje të pagave të cilat sipas tij, nuk janë të vërteta. Mes tjerash, ai kishte edhe një sfidë për qeveritarët.
SLLOBODAN TRENDAFILLOV – KRYETAR I LSM-SË
Përfaqësuesi i Qeverisë pretendon se ka dashur të japë 40 % rritje të pagave, por me këtë sipas tyre nuk është pajtuar sindikata, prandaj ata nuk kanë rritur pagat për 40% dhe prandaj punëtorët nuk kanë fituar rritje. Këtë e thonë një ditë pas protestës nga e cila u frikësuan dhe filluan të përmendin numra. E ftoj përfaqësuesin e Qeverisë që të hënën në ora 09:00 të vijë tek zyrat e LSM-së të nënshkruhet marrëveshja kolektive përmes të cilës rriten rrogat e të gjithë të punësuarve me 40% siç kanë theksuar në kumtesat e tyre dhe në vend se në vitin 2028-të, rrogën minimale 600 euro ta rrisin tani në vitin 2026”.
Për rritjen prej 40% për të cilin foli kreu i Sindikatës, foli edhe kryeministri Hristian Mickoski i cili edhe sqaroi në detaje se si do të ishte kjo rritje.
HRISTIAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
Nëse paga mesatare është 30 mijë denarë, në muajin prill për rrogën e muajit mars do të kemi nivelizim për pagën minimale e cila do të rritet, të pretendojmë se ajo do të rritet për 1.500 denarë, tash, këto 30 mijë edhe 1.500, rritje për 8%, vitin e ardhëshëm, kjo shumë përsëri do të rritet për pagën minimale, të marrim shembull përsëri do të jetë për 1.500 denarë, kjo shumë dhe kjo rritje e re, do të thotë se do të ketë përsëri rritje prej 8%, do të fitojmë përsëri, vitin e tretë, në muajin prill përsëri do të shënohet rritje për rrogën minimale për 1.500 denarë dhe e gjithë kjo do të ketë rritje përsëri për 8% , nëse tubojmë të gjithë këto rritje për tre vite do të kemi 40% më shumë rrogë se sa kjo 30 mijë sa është tani.
Trendafillov mes tjerash paralajmëroi edhe grevë gjenerale në sektorin publik të cilën nuk e përjashtoi si masë, duke thënë se sindikata do të jetë krah punëtorëve dhe atë ditë sipas tij punonjësit kanë të drejtë të mos kryejnë obligimet e tyre. Ai theksoi se nga ky rregull përjashtohen dhe e kanë patjetër të kryejnë obligimin e tyre profesionale vetëm punonjësit nga sektori shëndetësisë dhe ai i sigurisë. Trendafillov foli edhe për kërcënime të shumta që kanë marrë punonjësit nga ana e drejtorëve po edhe nga ana e sindikatave të politizuara të cilët janë kundër rritjes së rrogës minimale në 600 euro.
Mevludin Imeri /SHENJA/

