(VIDEO) Siljanovska: Raportet me Bullgarinë nuk janë në nivelin e dëshiruar

(VIDEO) Siljanovska: Raportet me Bullgarinë nuk janë në nivelin e dëshiruar

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova do të takojë këtë të premte homologun e saj bullgar, Rumen Radev. Në delegacionin shtetëror që do të udhëtojë për Sofje do të jetë edhe ministrat e Jashtëm dhe Kulturës, Timço Mucunski dhe Zoran Lutkov. Kjo është vizita e parë zyrtare e nivelit të lartë pas zgjedhjes së Qeverisë së re dhe kreut shtetëror në vend.

Ndërkaq, në prag të këtij takimi, Siljanovska Davkova theksoi gjatë ceremonisë së pranimit të letratve kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Bullgarisë në vend se, fatkeqësisht raportet mes dy vendeve nuk janë në nivelin e dëshiruar. Ajo tha se, raportet momentale nuk janë adekuate për shtete që janë fqinjë të afërt dhe aleatë në NATO.

Gordana Siljanovska – Davkova, presidente e shtetit

“Nevojitet ndryshim i qasjes përmes zhvillimit të raporteve dhe krijimit të dallimit pozitiv. E çmojmë jashtëzakonisht procesin e rëndësishëm dhe të komplikuar të dialogut i cili presupozon afrimin, ndërtimin dhe kultivimin e miqësisë, përmes respektimit të ndërsjellë të dy shteteve fqinjësore evropiane dhe në këtë kuptim, vlerësoj se respektimi i dinjitetit, zotimeve për integrime evropiane dhe raporteve të mira fqinjësore janë tërësisht komplementare dhe interes i përbashkët i dy vendeve”.

Takimi i dy krerëve shtetëror në Sofje, vjen pas një sërë deklaratash nga të dyja palët, të cilat rindezën tensionet mes dy shteteve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpreson që, pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë politike në Sofje, të rinegociojë marrëveshjes për hapjen e negociatave. Si zgjidhje, përflitet një marrëveshje e re e a.q. “propozimi francez plus”, i cili do të duhej të nënkuptonte elemente të reja në kompromisin e arritur në korrik të vitit 2022, që do të mjaftonin që pushteti i ri në vend të pajtohet me futjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Megjiahtë, kjo gjë është hedhur poshtë nga pala bullgare. Nga Ministria e Jashtme bullgare thanë se, Sofja mbetet e hapur për dialog, pavarësisht nëse vendin e udhëheqë qeveri teknike apo politike. Megjithatë, Sofja zyrtare bëri të qartë se, ai dialog nuk përfshin rinegegociim të obligimeve të ndërmarra nga Shkupi.

Kujtojmë që, futja e komunitetit bullgar në kushtetutën e vendit, është kusht që vendi të hap kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Meqë, procesi për këto ndryshime kushtetuese dështoi vitin e kaluar në Kuvend, eurointegrimet e vendit mbeten të bllokuara.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING