(VIDEO) Shqiptarët festojnë Ditën e Pavarësisë

(VIDEO) Shqiptarët festojnë Ditën e Pavarësisë

Shqiptarët kudo ku jetojnë festojnë sot 28 Nëntorin, shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, moment historik kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë. Kjo ditë njihet gjithashtu si Dita e Flamurit, simbol i krenarisë kombëtare, lirisë dhe identitetit shqiptar.

Në qytetet kryesore, sidomos në Vlorë, ku filloi gjithçka, janë organizuar ceremoni zyrtare, ngritje flamuri, aktivitete kulturore, koncerte dhe ekspozita historike. Në ceromoninë shtetërore të organizuar në Vlorë të pranishëm ishin Presidenti I shqipërisë, Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Edi Rama.

Vlora është veshur kuqezi me një atmosferë festive. Qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë bërë bashkë në Vlorë, në këtë 28 Nëntor. Grupe popullore janë gjithashtu në shesh, me tupana duke dhuruar shfaqje për qytetarët.

Në kryeqytein e Shqipërisë, në Tiranë është mbajtur parada e madhe me flamuj kuq-e-zi, valle, këngë dhe folklor nga të gjitha trevat shqiptare.

Festime të shumta kishte edhe në të gjitha qytetet e Kosovës. 28 Nëntori është datë me rëndësi të dyfishtë për shqiptarët e Kosovës edhe për shkak të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 si dhe ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, i cili lindi më 28 nëntor të vitit 1955.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.

Në shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

28 nëntori i vitit 1912 u quajt si “Nëntori i dytë” pasi më 28 Nëntor 1443, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj./SHENJA/

MARKETING