(VIDEO) Shqipëria hapi konsullatë të përgjithshme në Strugë

(VIDEO) Shqipëria hapi konsullatë të përgjithshme në Strugë

Me rastin e përurimit të konsullatës së përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë, ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani sot në Strugë u prit nga homologu i tij maqedonas, Timço Mucunski. Përmes nisjes së kësaj konsulate thuhet se forcohen jo vetëm lidhjet diplomatike mes dy vendeve, por edhe ato njerëzore, kulturore dhe shoqërore. Ministri Igli Hasani tha se hapja e kësaj Konsullate do të shtrihet përtej kufijve të këtij qyteti, nga ku vlerëson se është një hap i natyrshëm drejt rritjes së qasjes, shërbimit dhe ndërlidhjes së komuniteteve shqiptare në të dy anët e kufirit.

Igli Hasani, ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme

Kjo konsulatë nuk do të jetë thjesht vetëm një zyrë dokumentesh, por një urë funksionale mes shtetit shqiptar dhe qytetarëve të vet, një hapësirë që ofron shërbime dhe afirmon kujdesin institucional. Më tej, kjo konsulatë do të shërbejë si platformë për promovimin e kulturës shqipëtare për nxitjen e shkëmbimeve akademike dhe artistike, për afrimin e bizneseve si dhe për krijimin e urave të reja në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm nga bujqësia e turizmi, deri tek energjia e shëndetësia”.

Edhe ministri Timço Mucunski vlerëson se hapja e kësaj Konsulate është një hallkë me vlerë nga ku mbështetja e ndërsjellë është mënyra e vetme dhe më e mirë për përparimin e të gjithë rajonit.

Timço Mucunski, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Shqipëria është fqinji ynë, partner rajonal në NATO dhe aleat. Hapja e kësaj Konsullate është edhe një hallkë me vlerë në fotografinë e pasur të mozaikut në marrëdhëniet të shkëlqyera për të cilat kujdesemi tash e një kohë të gjatë. Rruga e bashkëpunimit dhe dialogut dhe mbështetja e ndërsjellë është mënyra e vetme dhe më e mirë për përparimin e të gjithë rajonit”.

Tutje ai shtoi se konsulata e përgjithshme do t’iu mundësojë qytetarëve një qasje më të lehtë për shërbimet konsulore dhe lidhje më të afërt me institucionet e të dyja vendeve, nga ku vlerëson se në veçanti është e rëndësishme për njerëzit të cilët çdo ditë qarkullojnë përtej kufijve për shkaqe të ndryshme.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING