(VIDEO) Shkupjani mbeti pa vajza dhe pa para – takimi në motel përfundon në grabitje
Një mbrëmje që duhej të përfundonte me një takim, u kthye në tmerr në një motel të Shkupit. Një burrë ka rënë pre e një grabitjeje të planifikuar me kujdes nga dy gra dhe dy burra. Sipas Prokurorisë Themelore Publike Shkup, viktima fillimisht ishte joshur nga dy të dyshuarat femra, por në vend të një takimi, ai është pritur me dhunë brutale dhe grabitje. Ngjarja ka ndodhur më 30 tetor, kur i dëmtuari kishte shkuar në një motel në Shkup me njërën nga të dyshuarat. Ajo i kishte propozuar të telefonojë një vajzë tjetër, me pretendimin se do ta ndihmonte për të gjetur “një hotel më të mirë dhe më të lirë”. I dëmtuari është pajtuar, dhe pas bisedës telefonike është bindur të largohet nga moteli. Ndërkaq, dy burrat, të cilët ishin në marrëveshje me gratë, e kanë sulmuar me doreza boksi derisa ai ka humbur ndjenjat, duke i marrë paratë në një shumë prej 200 mijë denarësh, telefonin dhe dokumentet personale.
Sa i përket kësaj ngjarje, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim ndaj të katër personave – dy burrave dhe dy grave– të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, në bazë të nenit 237, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Sipas akuzës, të dyshuarit kanë vepruar në grup dhe me forcë i kanë marrë një personi shumën prej 200 mijë denarësh.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup
“Ndërsa po dilnin nga dhoma, në oborrin e errët të motelit, ato janë pritur nga dy burrat që ishin në marrëveshje me gratë dhe së bashku e kanë sulmuar viktimën. Ata e goditën me grushte në kokë dhe në trup derisa ra në tokë, dhe nga xhepat i morën paratë, telefonin celular dhe kartën e identitetit”.
Prokurori i kërkoi gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale. Për njërën nga të dyshuarat femra, e cila ka qenë në arrati që kur ka kryer krimin, paraburgimi do të fillojë të zbatohet sapo të gjendet dhe të arrestohet.
Anida Murati /SHENJA/

