(VIDEO) Shkupi sërish në mesin e qytetëve më të ndotura në Europë

(VIDEO) Shkupi sërish në mesin e qytetëve më të ndotura në Europë

Rikthehet ndotja e ajrit në Shkup. Qytetarët në kryeqytet u zgjuan sot duke thithur sërish ajër të pashëndetshëm, ndërsa matjet e cilësisë së ajrit, sipas aplikacioneve online, regjistruan se indeksi i ndotjes në pjesën e parë të ditës, ka shkuar deri në 247, gjë që tregon se, përqendrimi i ndotësve PM2.5 ose PM10 është ekstremisht i lartë.

Sipas të dhënave të indeksit të cilësisë së ajrit të matura nga aplikacionit air care, mëngjesin e sotëm Shkupi u rendit në vendin e katër në listën e qyteteve më të ndotura në Evropë me më shumë se 300 mijë banorë, menjëherë pas Beogradit dhe Krajovës, ndërsa në krye të listës si qyteti më i ndotur ka qëndruar Sarajeva.

Ajër ekstremisht i ndotur është regjistruar edhe në qytetet e tjera të vendit. Ajri më i ndotur në vend është regjistruar në qytetin e Strumicës, me indeks 399. Pas Strumicës vjen Kumanova, ku mëngjesin e sotëm indeksi i ndotjes ka qenë 255, ndërsa indeksi i ndotjes në Shkup ka qenë 247. Ndërkaq, përqendrimi i grimcave PM2.5 në Shkup ka qenë mes 70 – 100 mikrogramë për metër kub, që është shumë më lartë se rekomandimi vjetor i OBSH-së.

Sipas këtyre shifrave ajri klasifikohet si “i pashëndetshëm” për të gjithë kategoritë e qytetarëve.

Kujtojmë se edhe gjatë muajit të kaluar, Shkupi u përmballë me ndotje alarmante.

Ambientalistët akuzojnë fabikën “Usje” si shkaktarja kryesore e ndotjes, për çka edhe janë organizuar protesta më herët. Madje, me iniciativë të këshilltarëve të “Zelen Human Grad”, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi muajin e kaluar një konkluzion për nisjen e procedurës për dislokimin e fabrikës “Usje” dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë jashtë Luginës së Shkupit. Megjithatë ende nuk janë ndërmarrë masa për realizimin e iniciativës. Për këtë shkak, nga iniciativa “Stop për Usjen” kanë paralajmëruar protestë të re më 21 janar, në udhëkeyqin mes bulevardeve “Boris Trajkovski” dhe “Serbia”.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING