(VIDEO) Shkupi po ngulfatet, metropoli është qyteti i tretë më i ndotur në botë
Shkupi dita ditës po rangohet më lartë në listën për qytetet me ajër më të ndotur në botë. Aktualisht, sot zë vendin e tretë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, nga ku, sipas listës së platformës për cilësinë e ajrit në botë (AQI), ajri është i rrezikshëm për të marrë frymë, nga i cili indeksi i ndotjes së tij është shënuar me 170.
Më të ndotur se Shkupi sot ishin vetëm Lahore në Pakistan dhe Sarajeva në Bosnje dhe Hercegovinë me një indeks të ndotjes prej 246. Ajri në kryeqytet tashmë është i shënuar në kategorinë “i pashëndetshëm”. Ndërkaq, grimcat PM 2.5 me përqendrim 83 mikrogramë për metër kub renditen si ndotës kryesor, ndërsa grimcat PM 10 kanë një përqendrim prej 83.9 mikrogramë për metër kub. Përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet aktualisht është pothuajse 16.6 herë më i lartë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Edhe më alarmante janë rezultatet e hulumtimit të realizuar nga programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit”, i cili nxori në pah se ka nivele alarmante të ndotjes së ajrit si në mjedise të hapura ashtu edhe në mjedise të mbyllura. Përmes këtij hulumtimi gjatë një viti është bërë monitorim i cilësisë së ajrit dhe janë analizuar burimet e ndotjes së ajrit. Hulumtimi tregon se ajri i ndotur është bërë shkak edhe për humbjen e jetëve të njerëzve.
Gjegjësisht, në Maqedoninë e Veriut, sipas hulumtimit, brenda një viti nga ajri i ndotur vdesin rreth 3.400 njerëz, numër ky që paraqet 17 deri 19% të vdekshmërisë së përgjithshme. Ndërsa burimet kryesore të ndotjes janë ngrohja e amvisërive dhe objekteve publike, trafiku e të ngjashme.
Edhe nga Instituti i Shëndet Publik thonë se ajri i ndotur ka efekte serioze ndaj shëndetit, nga problemet me organet e frymëmarrjes, deri tek kanceri, dobësimi i sistemit imunitar dhe infertiliteti, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, si dhe sëmundjet kardiovaskulare. Sipas institutit për Shëndet Publik, ajri është qenësor për jetën dhe kur është i ndotur ndikon në funksionimin e plotë të organizmit.
Anida Murati /SHENJA/